NDRYSHIMET PSIKOPOLITIKE PAS 6 TETORIT

29 tetor 2019 | 15:05

Shkruan: Blerim Latifi

Aktivizimi i madh i diplomatëve perëndimorë, ende pa u ndërtuar qeveria e re e Kosovës, duket qartë se ka për qëllim të imponojë agjendën e parë, me të cilën do të merret kjo qeveri. Në thelb të kësaj agjende është dialogu me Serbinë. Krejt ato gjëra që partitë politike kanë premtuar gjatë fushatës elektorale, detyrimisht, kanë për t’u lënë anash, për një periudhë ta caktuar. Perëndimi, e në mënyrë të veçantë SHBA-ja, janë duke u ngutur shumë në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Barriera e parë në të cilën do të ndeshet kjo ngutje është klima konfliktuale e politikës në Kosovë. Në pesë vitet e fundit kjo klimë e ka dëmtuar shumë rëndë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Nga viti 2017, e deri në rënien e Qeverisë Haradinaj, Kosova ka kaluar nëpër një situatë absurde, në rrafshin e politikës së jashtme. Ne nuk kemi pasur politikë të jashtme unike. Kemi pasur politika të jashtme, aq sa kemi edhe parti politike. Për më tepër vetë koalicioni në pushtet gjithë kohën ka qenë i ndarë në tri pozicione të ndryshme: ndryshe mendonte presidenti, ndryshe kryeministri dhe ndryshe prej të dyve kryetari i Kuvendit. Ndërkaq, përpjekja për t’i tejkaluar dallimet me anë të një ekipi të përbashkët për dialogun, doli sa qesharake, aq edhe në kundërshtim me kushtetutën.
Duke marrë parasysh gjithë këtë, problemi i parë të cilin duhet ta tejkalojnë partitë parlamentare, është gjetja e një formule për të ndjekur një politike të jashtme të unifikuar. Mesazhi fillestar që do të jepej, nëse kjo gjë arrihet, do të ishte mesazhi se Kosova është një shtet serioz, e jo një konglomerat pushtetesh partiake. Për këtë, mes tjerash, janë të domosdoshme edhe transformimet psikopolitike të partive politike dhe liderëve të tyre.

Çfarë kam në mendje me këtë term?

Çdo pozicion politik bartë në vete njëlloj psikologjie dhe kjo psikologji bëhet më e fuqishme, sa më shumë që zgjatë në kohë pozicioni politik.
Kështu, p.sh. Lëvizja Vetëvendosje! ka një periudhë 14-vjeçare si subjekt opozitar. Ajo është e mishëruar me logjikën e kundërshtimit e refuzimit të politikave të pushtetit. Tani u duhet të ndryshojnë psikopolitikisht. Vetë Kurtit i duhet të bëjë ndryshimin e tij të madh personal. Si lider opozitar, ai ndjehej komod në ligjërimin e tij moralist e populist, ndërsa tani, me të marrë postin e kryeministrit, që në ditën e parë të punës, do të ballafaqohet me të vërtetën e hidhur se politika nuk është vetëvendosje, por një art i bezdisshëm i negocimit dhe kompromisit të interesave e ideve. Sapo të pranojë këtë të vërtetë, ai do të detyrohet t’i zhgënjej militantët idealistë që presin prej tij qoftë mrekullira, qoftë hakmarrje për vuajtjet e të kaluarës.
Opozita e re, në anën tjetër, po ashtu, duhet të futet në procesin e transformimeve psikopolitike. Duke qenë për një kohë të gjatë në pushtet, PDK-ja është mishëruar me të dhe ka harruar se si bëhet opozita. PDK-së do t’i duhet kohë për të gjetur pyetjet opozitare, e për të lënë pas trashëgiminë e pyetjes kryesore që është shtruar brenda saj, tash e sa vite: Kush, çfarë merr? Ajo, tani, ndodhet para dy alternativave të veprimit politik: të bëjë një opozitarizëm hakmarrës, ose një opozitarizëm të matur, në kuadër të konsensusit nacional për zgjidhjen e problemit të Kosovës me Serbinë. Sipas gjasave do të provohet me një formulë të ndërmjetme. Në këtë kontekst, LDK ka pozicionin më komod, për shkak se në dy vitet e fundit ajo ka bërë lojë të dyfishtë, duke u përpjekur të ruaj imazhin e një partie konstruktive, por edhe atë të një partie që bën opozitë efektive. AAK-së, ndërkaq, do t’i duhet një kohë për t’u rehabilituar nga goditja e madhe që mori në zgjedhjet e 6 tetorit. Rënia e përnjëhershme nga entuziazmi i madh në zhgënjimin e madh, ka pasoja traumatike dhe njëra prej tyre mund të jetë dorëheqja e Ramushit nga mandati i deputetit.
Për Nismën çfarë të thuhet?
Koncepti identitar i saj si një parti e vogël, por e domosdoshme në ndërtimin e qeverive, ka marrë një goditje fatale në zgjedhjet e 6 tetorit. Limaj do të duhet të mendojë për një koncept të ri, nëse ka në plan të vazhdoj të merret me politikë. Madje edhe nëse ndodhë të kalojë pragun, e të futet në qeverinë e re. Partneri i tij parazgjedhor, Pacolli, duket të ketë ardhur në fundin e karrierës së tij politike. Ai mbetet shembull tipik për pafuqinë që pushtetin ekonomik ta shndërroj në autoritet politik. Thënia e famshme e Leninit për politikën si ekonomi e kondenzuar, në këtë rast, duket të jetë krejtësisht e gabuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, e…