Ndryshimi i ligjit për skemat pensionale, reagon BSPK-ja
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka reaguar në lidhje me plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
“Lajmi përkitazi me miratimin e projektligjit për plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nr. 04/L-131, obligon partnerin tonë social edhe për punë më intensive drejt plotësimin e kërkesave. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta miratojnë këtë projektligj për t’i hapur rrugë shpalljes së shumëpritur të tij që të mund të fillojë e të zbatohet për të rritur sado pak mirëqenien sociale e ekonomike të qytetarëve që derdhën djersën gjithë andej vendit tonë për të mirën e përbashkët. Kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ishin kërkesa të arsyeshme dhe do të jenë edhe në vazhdim të arsyeshme e të pandalshme”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka theksuar se pret që sa më parë të caktohet e të miratohet edhe vlera e duhur financiare e pagës minimale e të negociohet vlera e re për vitin 2024, gjithashtu të bëhet nënshkrimi i Kontratës së Përgjithshme Kolektive. “Së bashku me plotësim ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, po edhe me miratimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor të nisë ndërtimi i mirëqenies së duhur sociale e ekonomike për të punësuarit po edhe për familjet e tyre e njëkohësisht edhe për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagimin e BPSK-së.