Ndryshohet Kodi i Procedurës Penale, Haxhiu: Mundësohet gjykimi në mungesë
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të premten ka shqyrtuar Projekt-kodin e procedurës penale.
E ftuar në këtë komision ka qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka arsyetuar dhe prezantuar këtë projekt-kod.
Haxhiu ka thënë se kanë punuar shumë për të evidentuar të gjitha problemet, si ai i gjykimit në mungesë për krimet e luftës si dhe suspendimin e personave nga detyra që po akuzohen për vepra të ndryshme penale siç është korrupsioni.
“Ju theksoj gatishmërinë tim, por edhe të ministrisë që udhëheqë duke pasur një qeverisje korrekte. Ky dokument është mjaftë i rëndësishëm ku grupi punues është përpjekur që të evidentoj të gjitha problemet”.
“Qëllimi i këtij draft-ligji është hartimi i drejtësisë penale. Theksoj se janë adresuar shumë çështje si ajo e dënimit në mungesë për të gjitha veprat penale, suspendimi i personave zyrtarë nga detyra”, është shprehur Haxhiu.
Më tutje, Haxhiu ka theksuar rëndësinë edhe të afatit të hetimeve ku aktualisht është dy vjet për dallim me vitet e kaluara, sepse sipas saj, ka qenë një periudhë shumë e gjatë më parë.
“Ende konsiderohet që ka një numër të madh të aktakuzave dhe vepra të ndryshme penale, dhe për këtë e kemi konsideruar të rëndësishme suspendimin nga puna e tyre zyrtare. Po ashtu theksoi këtu edhe afatin e hetimeve i cili tani është dy vite sepse ka qenë shumë gjatë më parë”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka ftuar deputetët prezent që të votojnë këtë Projekt-kod sepse sipas saj është i rëndësishëm.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka pyetur ministren Haxhiu për pikën e konfiskimit se çfarë saktësisht kanë menduar për këtë pikë.
Kurse Haxhiu është përgjigjur ndaj pyetjes së Selmanajt, duke theksuar se qëllimi i konfiskimit është që të rishikohet dhe punohet sa më shumë, raporton “EO”.
“Ne kemi rishikuar kapitullin e konfiskimit dhe qëllimi është që të përshtatet edhe me kodin penal, dhe në këtë kapitull është paraqitur edhe qasja që mund të kenë në aktakuzë dhe që ka munguar gjithmonë”, ka thënë Haxhiu.
Edhe deputetja nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se e mirëpret këtë Projekt-kod, duke thënë se do ta votojnë si të tillë.