Ndryshohet plani për Ligën e Kampionëve
UEFA raportohet se dëshiron ta mbyllë sezonin aktual të Ligës së Kampionëve përmes një mini-turneu, por dëshiron ta ndryshojë lokacionin nga Turqia në Gjermani.
Përderisa Bundesliga tashmë ka rinisur sezonin, Ligue 1 ka vendosur që të mbyllet para kohe sezoni, ndërkohë që tri top tri ligat tjera të Evropës – Premierliga, La Liga dhe Serie A – kanë zbuluar planet për rinisjen e kampionatit muajin e ardhshëm.
Kthimi i aktiviteteve sportive në Evropë, pas pauzës së detyruar që nga marsi shkaku i koronavirusit, ka bërë që UEFA të fillojë planet edhe për rinisjen dhe mbylljen e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.
Sky Sport Italia pretendon se UEFA synon ta rinisë garën në Ligën e Kampionëve më 7 dhe 8 gusht, kur pritet të zhvillohet ndeshjet e mbetura kthyese të 1/8 të finales.
Pasi të zhvillohet edhe ndeshjet e mbetura të kësaj faze, gara do të vazhdojë me çerekfinalet ku më 13 dhe 14 gusht, ndërsa fituesi që kalon në gjysmëfinale do të vendoset vetëm në një ndeshje (s’do të ketë ndeshje kthyese). Ndërsa gjysmëfinalet dhe finalja pritet të zhvillohet në formatin e një turneu “Final Four” në Stamboll të Turqisë, megjithatë tani thuhet se këto tri ndeshje mund të zhvendosen në Gjermani, shkaku i nisjes së suksesshme të Bundesligës atje.