Ndryshon Flamurtari, tash i mjafton barazimi ndaj Dritës

30 tetor 2018 | 11:24

Sot në kryeqytet zhvillohet përballja në mes të Flamurtarit dhe Dritës nga Gjilani, në kuadër të xhiros së trembëdhjetë në elitën e futbollit. Pavarësisht prej fitores në ndeshjen e parë në Gjilan, tash Flamurtari e pranon se do të ishte i kënaqur edhe me një barazim. “Për ne çdo rezultat tjetër përveç humbjes do të ishte një fitore e madhe, pasi do ta ruanim pozitën në të cilën jemi”, ka thënë Arsim Thaqi, trajner i Flamurtarit.

KF Flamurtari në xhiron e dytë të këtij kampionati në IPKO Superligën e Kosovës kishte tejkaluar parashikimet duke e mposhtur kampionen aktuale, Dritën në Gjilan, me rezultat 1-3. Por, tash synimet e kësaj skuadre janë më të vogla dhe një barazim do të ishte i mjaftueshëm nga ndeshja që e zhvillon në kryeqytet ndaj Dritës.

Këtë e ka konfirmuar të hënën për “Epokën e re” trajneri Arsim Thaqi, i cili e pranon se skuadra e tij po ka probleme për shkak të mungesave. “Koha ka qenë e shkurt për ta përgatitur ekipin për ndeshjen ndaj Dritës, por sido që të jetë, ky është kampionati me ndeshje intensive. Problem për ne janë mungesat që na kanë kushtuar edhe në disa ndeshje të tjera, por e njëjta do të jetë edhe ndaj Dritës. Për ne çdo rezultat tjetër përveç humbjes do të ishte një fitore e madhe, pasi do ta ruanim pozitën në të cilën jemi”, ka thënë Thaqi. Mungesa për kuqezinjtë në ndeshjen ndaj Dritës do të jenë Neziri dhe Zeqiri, kurse Shillova vështirë se do të paraqitet, pasi ende nuk është maksimalisht i gatshëm për ndeshje. “Përveç portierit Neziri, mungon edhe mesfushori Zeqiri që në ndeshjet e para ka qenë titullar, kurse Alban Shillova ende nuk është i gatshëm qind për qind për shkak të lëndimit që ka pësuar ndaj Ballkanit, por do të jetë në tetëmbëdhjetëshe”, ka deklaruar Thaqi.

Ndërsa Drita synon maksimumin nga kjo ndeshje. Këtë e ka konfirmuar sulmuesi Përparim Livoreka, i cili e ka vlerësuar skuadrën kuqezi kundërshtare shumë të fortë. “Na pret një ndeshje e fortë ndaj Flamurtarit, pasi ka ekip cilësor dhe jorastësisht është në pjesën e sipërme të tabelës. Ne udhëtojmë për të fituar për fitore dhe do të tregojmë në këtë ndeshje për punën që kemi bërë gjatë javës. E mira është se në këtë ndeshje nuk kemi asnjë mungesë”, ka thënë Livoreka për gazetë. “Drita dalëngadalë po arrin ta aplikojë lojën që i ka munguar në fillim. Trajneri Shpëtim Duro është duke bërë një punë të mirë dhe kemi ndryshuar dhe shumë shpejt do të jemi në pjesën e lartë të tabelës ku i ka edhe synimet”, ka deklaruar Livoreka, i cili është ndër lojtarët me përvojë jo vetëm në skuadrën e dritës, por në futbollin e Kosovës. Sot (e martë) zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Lirisë dhe Ferizajt, kurse katër ndeshje të tjera zhvillohen të mërkurën.

IPKO Superliga

Të martën takohen:
12:30 Flamurtari – Drita
12:30 Liria – Ferizaj
Të mërkurën takohen:
12:30 Prishtina – Trepça ’89
12:30 Feronikeli – Drenica
12:30 Llapi – Ballkani
12:30 Gjilani – KEK-u

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Butoni “like” me formë të zemrës është ndër gjërat më…