Në 22-vjetorin e rënies, Ramush Haradinaj kujton martirët e Gjakovës

01 prill 2021 | 11:37

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot martirët e Gjakovës në 22-vjetorin e rënies.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, i pari i AAK-së ka thënë se në këtë datë kujton familjen e cila ishte shuar pa lënë pasardhës.

Postimi i plotë i tij:

Dita e kobshme, kur Gjakova u kaplua nga zjarri!

Me përulje të thellë, kujtojmë sot, njëzetedy vite më pas, martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë.

Kujtojmë familjen që u shua pa lënë pasardhës, familja e Januz Canës, gruaja e tij Ganimetja, vajza Shpresa dhe djali Fatmiri.

Kujtojmë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa: Fetije Vejsa, Shahindere Hoxha, Flaka Hoxha (15 vjeçare), Tringa Hoxha Vejsa me fëmijët e saj Rita (2 vjeçare), Arlindi (5 vjeçar), Marigona (9 vjeçare) dhe Dorina (11 vjeçare); Valbona Vejsa me fëmijët, Doruntinën (3 vjeçare), Egzonin (5 vjeçar) dhe Rinën (7 vjeqare); Valbona Byci-Caka me tri vajzat e saj Dionën (2 vjeçare), Delvinën (7 vjeçare) dhe Dalinën (14 vjeçare); Hysen Gashi, Mandushe Nuqi e Shirine Nuqi.

Kujtojmë Martirët e Lirisë që u sakrifikuan në pjesë të tjera të Gjakovës: Rexhë Gucin, Xajë Kurtin, Shukri Hoxhajn, Mazllom Kavajën, Sulejman Gërçarin së bashku me tre djemtë e tij (Skënderin, Haxhiun dhe Albertin), dy vëllezërit Dylatahu (Skënderin e Naserin), Melaim Qarkaxhiun, Blerim Bërdoniqin, Bujar Tetrica, vëllezërit Hasan e Adem Haxhia, djemtë e Ademit Berati e Gëzimi dhe gruaja e Hasanit Myzafere Haxhia, Afërdita Deda-Demjaha me të birin Argjentin.

Gjakova atë ditë u kaplua nga zjarri. Ai zjarr u bë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës. Liri që sot duhet ta ruajmë e çmojmë, sepse erdhi nga gjaku i të rënëve.

Lavdi e përjetshme!

RH

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja 24-vjeçare Bella Hadit thyen barrierat duke sfiluar topless për…