Në 24-vjetorin e Epopesë së Rahovecit, Limaj nderon dëshmorët
Në 24-vjetorin e Epopesë së Rahovecit, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, së bashku me kryetarin e komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë nderuar shenjat e lirisë dhe të lavdisë sonë kombëtare.
“Shenja këto, që bënë të mundur që shteti ynë të frymojë lirshëm. Sot, në 24 vjetorin e Epopesë së Rahovecit, nderuam nga afër me pietet e krenari të gjithë dëshmorët e rënë në këto beteja, bashkëluftëtarët e mi, që heroikisht ranë për të mos vdekur kurrë; Agim Çelaj, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Gani Paçarizi, Habib Berisha, Liman Gegaj dhe Ramadan Morina”, ka thënë Limaj.
Ai ka theksuar se rënia e tyre heroike ishte goditje e madhe për të gjithë, por, sipas tij, po kaq e madhe ishte vendosmëria për të vazhduar luftën tonë të drejtë deri në fitore.
“Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë në Epopenë e Rahovecit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit. I paharrueshëm qoftë kujtimi për ta”, ka deklaruar Limaj.