Në 10 vjetorin e kalimit në amshim të Avdullah Rrustollit, përkujtim për atdhetarin e paharrueshëm

09 janar 2022 | 15:39

Sot bëhen dhjetë vjet e ndarjes nga kjo jetë atdhetari dhe ish i burgosuri politik, Avdullah Rrustolli, i cili ka qenë i dënuar me 12 vjet burgim për aktivitetet e tij patriotike së bashku me veprimtarë të tjerë, në krye me Adem Demaçin.

Avdullah Rrustolli ka lindur më 15 shtator 1953 në Prugovc, Prishtinë dhe ka ndërruar jetë më 9 janar 2012.

Lidhur me aktivitetet atdhetare, para luftës çlirimtare, nga mesi i viteve ’70, në mesin e të cilëve përmendet Avdullah Rrustolli, Dr. Sabile Keçmezi Basha, në studimin kushtuar grupeve atdhetare antijugosllave, për Organizatën Patriotike “Partia e Luftës e Kosovës”, shkruan, më 14 maj 2019, si vijon:

“Në dokumentin P-K-108/84, në aktakuzën e Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, thuhej se Kadri Osmani, pas mbajtjes së dënimit në burgun e Dobit, gjykuar nga neni 117 al. 1. të KP-së, si njëri nga udhëheqësit e organizatës ilegale “Grupi Revolucionar”, sapo kishte dalë prej atje, kishte kërkuar lidhje të tjera për të vazhduar veprimtarinë patriotike. Së këndejmi rridhte frika e pushtet mbajtësve nga recidivët politikë. Këtyre ua kishin frikën më të madhe. Këta persona kishin përvojë ilegale, kishin njohuri të duhura, kishin guxim dhe, mbi të gjitha, kishin besim te të tjerët.

Kadri Osmani nuk kishte qenë pasiv as gjatë qëndrimit në burg. Atje bisedonte me të burgosur të tjerë, matë pulset e tyre dhe, aty ku shihte se kishte gjasë për ta përfituar një anëtar të devotshëm të ilegales, pa përtesë fillonte punën. Kështu ndodhi me të burgosurin Avdullah Rrustolli, i cili po ashtu gjendej në burgun e Dobit. Një kohë të gjatë Kadri Osmani i tregoi për jetën ilegale në Kosovë, për padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar etj., derisa një ditë e bindi që të organizohej dhe të bëhej anëtar i organizatës ilegale.

Më 1977 ai para tij e ka dhënë betimin për besnikëri: “Se do të jetë besnik, se detyrat e parashtruara do t’i kryejë me ndërgjegje, se do ta ruajë fshehtësinë, se shokët me të cilët punon nuk do t’i zbulojë etj” Pas daljes nga burgu, Avdullah Rrustolli, duke i qëndruar besnik betimit të dhënë, gjatë pushimeve në Ulqin formoi “treshen” e organizatës, duke angazhuar edhe Isak Havollin dhe Bajram Ajetin, të cilët e dhanë betimin para Avdullah Rrustollit, sipas tekstit që e kishte përpiluar shumë më herët Kadri Osmani. Anëtarëve të rinj iu caktuan detyrat. P.sh. Bajram Ajeti e mori përsipër që në trevën e Llapit të formonte “treshe” të reja.”

Po ashtu, Dr. Sabile Keçmezi Basha shkruan se Avdullah Rrustolli u angazhua që të shkonte në Zvicër dhe të binte në kontakt me Xhafer Shatrin e me Hasan Malën dhe t’i njoftonte ata se si do ta fillonin aktivitetin e serishëm në vend”.

Me aktgjykimin me numër P. nr. 108/84, duke i akuzuar këta atdhetarë dhe më 29 qershor të vitit 1984 Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për atdhetarët e mëposhtëm, dhanë këto dënime:

Kadri Osmani (1937), Makreshi i Ulët (Gjilan), arsimtar – 15 vjet burgim
Enver Topalli (1959), Greme (Ferizaj), student – 14 vjet burgim
Abdullah Rrustolli (1943), Prugovc (Prishtinë), i papunë – 10 vjet burgim
Raif Qela, (1963), Reshan (Mitrovicë), student – 12 vjet burgim
Rrahim Rama, (1963), Klinë e Ulët, student – 5 vjet burgim
Remzi Bunjaku (1956), Strezoc (Kamenicë), punëtor – 6 vjet burgim
Ajet Duli, (1954), Svircë (Medvegjë), arsimtar – 7 vjet burgim
Mehë Uka (1962), Bajgorë (Mitrovicë), student – 7 vjet burgim
Negjmedin Gërguri (1964), Bellaqevc i Madh, student – 5 vjet burgim
Mahmut Ibrahimi, (1962), Bellogogjde (Strugë), student – 1 vit burgim
Ibush Vishi, (1958), Dubravë (Kaçanik), student – 9 vjet burgim
Behxhet Imishti, (1958), Dubravë (Kaçanik), student – 10 vjet burgim
Ramë Buja, (1958), Bujan (Lipjan), student – 8 vjet burgim
Agim Vishi, (1960), Shkup, sh. e mesme – 8 vjet burgim.

Avdullah Rrustolli do të kujtohet si atdhetar i paepur, që tërë jetën ia kushtoi çështjes atdhetare dhe çlirimit të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri në fund të këtij viti do të përfundojë shtrirja…