Në 100 ditët e punë së qeverisë, para qeverisë proteston “Pastrimi”
Kompania “Pastrimi” në Prishtinë është shprehur e zhgënjyer me institucionet vendore, konkretisht me ato te rendit, pasi që thotë se dy herë radhazi ka bërë kërkesë te Policia e Kosovës që t’i lejohet mbajtja e një protestë paqësore me kamionë në qytet me një numër të vogël të punëtorëve dhe dy herë radhazi e njëjta kërkesë i është refuzuar nga Policia e Kosovës.
“Kërkesa jonë kishte për qëllim që përmes protestës të shprehej pakënaqësia e punëtorëve në mospërfshirjen e tyre në Pakon Emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Prandaj, kompania “Pastrimi” thotë se ka respektuar me korrektësi refuzimin e kërkesës së Policisë së Kosovës por, sipas saj, është e papranueshme se si një institucioni si kompania “Pastrimi” i refuzohet një kërkesë e tillë, ndërsa në anën tjetër është lejuar protesta e qindra qytetarëve në sheshin e kryeqytetit, duke ditur situatën pandemike në të cilën ndodhemi.
“Kërkesa jonë adresuar tek Policia e Kosovës kishte për qëllim mbajtjen e protestës paqësore me një numër të vogël të punëtorëve gjithmonë duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, ndërsa realiteti dje fliste ndryshe me atë që ndodhi në sheshin e kryeqytetit”, thuhet në komunikatën e “Pastrimit”.
Prandaj, kompania “Pastrimi” paralajmëroi se sot nga ora 09:00 deri në 12:00 do të mbajë protestë paqësore para objektit te Qeverisë se Republikës se Kosovës për ta shprehur pakënaqësinë në mospërfshirjen e këtyre punëtorëve në Pakon Emergjente, ndërsa i kanë bërë thirrje edhe Policisë së Kosovës ta sigurojë rendin dhe qetësinë e mbarëvajtjes së protestës.
(B. D.: ‘Epoka e re’)