Në BE 16 % e bizneseve shesin online, transporti përbën vështirësinë kryesore
Vitin e kaluar, 16% e bizneseve në Bashkimin Evropian, që punësojnë të paktën 10 persona, kanë marrë porosi nëpërmjet internetit apo aplikacioneve.
Shitjet në web përfshijnë shitjet ndaj konsumatorëve individualë dhe ndaj bizneseve të tjera.
Pjesa e bizneseve që shesin në web në BE, janë rritur nga 12% në 2010-ën në rreth 16% në 2016-ën, tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat. Ndër bizneset që kanë shitur në web në 2016, thuajse të gjitha (97%) kanë shitur brenda vendit të vetë, ndërsa më pak se 44% kanë shitur ndaj konsumatorëve në vende të tjera anëtare dhe më pak se 28% drejt konsumatorëve jashtë BE, shkruan “scantv”.
Shitjet në web i ofrojnë bizneseve mundësinë për t’u zgjeruar përtej kufijve kombëtarë, pavarësisht vendodhjes gjeografike. Komisioni Evropian synon të krijojë një Treg të Përbashkët Dixhital, ku tregtia online mes vendeve do të jetë aq e lehtë sa nëpër dyqane fizikë (brick and mortar).
Megjithatë, thuajse 2 në çdo 5 biznese të BE që kanë shitur online në vende të tjera anëtare për 2016-ën, raportuan vështirësi, kryesisht prej kostove të dërgesave dhe barrierave gjuhësore. Ndër vendet anëtare, pjesa më e madhe e bizneseve që kanë shitur online për vitin 2016 ndodhet në Irlandë me 26%, ndjekur nga Suedia dhe Danimarka, me 24% dhe 22%.
Pjesa më e ulët është regjistruar në Rumani, me 7%, ndjekur nga Polonia dhe Bullgaria, secila me 9%. Tarifat e transportit përbëjnë një nga pengesat kryesore të shitjeve në web përtej kufijve brenda BE. 59% e sipërmarrjeve të BE që kanë marrë porosi nëpërmjet web-it apo aplikacioneve në 2016, raportuan vështirësi në shitjet drejt vendeve të tjera anëtare.
Pjesa më e madhe tregoi për koston e dërgimit, ndjekur nga barrierat teknike si mungesa e njohurisë apo çështjet gjuhësore, më pas vijnë arsyet gjyqësore.