Në 18 shkolla nuk filloi mësimi, MASHT: Janë ekzekutuar mjetet e librave, për ata që aplikuan deri më 29 gusht

01 shtator 2023 | 22:59

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë përmes një njoftimi, ka ndarë detaje në lidhje me aplikimin për blerjen e librave për nxënësit.

Sipas MAShT-it, tashmë janë ekzekutuar pagesat, për ata që aplikuan deri më datë 29 gusht.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se procesi mësimor nuk ka filluar në 18 institucione arsimore të cilat kanë qenë në proces të renovimit.

E plotë:

Njoftim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton se sot ka filluar viti i ri shkollor 2023/2024 në Republikën e Kosovës.

Në bazë të informatave të pranuara nga komunat, gjatë ditës së sotme, procesi edukativo-arsimor ka filluar në 658 institucione, ashtu siç është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit Shkollor 2023-2024.

Sipas raportimeve të komunave, procesi mësimor nuk ka filluar në tetëmbëdhjetë (18) institucione arsimore të cilat kanë qenë në proces të renovimit. Në shumicën prej këtyre institucioneve punimet do të përfundojnë deri më 4 shtator dhe do të nis procesi i rregullt mësimor.

Ndërkaq, sa i përket pagesës për furnizim me tekste shkollore, për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht në ora 16:00, ekzekutimi i mjeteve nga ana e MAShTI-t (respektivisht nga Thesari) ka përfunduar të enjten. Fillimisht janë ekzekutuar 30 euro për materiale mësimore e më pas 50 euro për tekste shkollore.

Nga sot ka vazhduar ekzekutimi i mjeteve për ata që kanë aplikuar pas datës 29 gusht. Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është 133.500.

Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore.

Çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milan ka arritur të marrë një fitore me peshë të…