Në 20-vjetorin e rënies nderohet dëshmori Liridon Dërmaku
Sot në Shipashnicë të Kamenicës është mbajtur takimi për shënimin e 20-vjetorit të rënies së dëshmorit Liridon Dërmakut.
Ky takim është organizuar nga Këshilli i fshatit në Shipashnicë të Epërme dhe Komuna e Kamenicës.
I pranishëm në këtë takim nga Komuna e Kamenicës ka qenë Kryesuesi i Kuvendit Komunal Liridon Kastrati.
“Kontributi i Liridonit dhe familjes së tij ka nisur herët, që nga babai i tij e xhaxhai që kanë dhënë shembull të kontributit, kontribut ky që duhet të na shërbejë si udhërrëfyes edhe për punën tonë si institucione”, ka thënë kryesuesi Kastrati.
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe profesorë nga Universiteti i Tetovës, ku edhe ishte student Liridoni, të cilët kanë vlerësuar lartë edhe kontributin e tij si dhe shembullin që ka dhënë vet Liridon Dërmaku përgjatë asaj kohe.
Familja Dërmaku ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, si dhe ceremonia më pas ka vazhduar me homazhe tek varri si dhe busti i Liridon Dërmakut.