Në 21-vjetorin e rënies përkujtohet dëshmori Hetem Hasaj
Krerët komunal të Komunës së Kaçanikut, organizatat e dala nga lufta, familjarë të dëshmorit dhe qytetarë të shumtë, në Gajre, në vendin e rënies, kanë nderuar në 21-vjetorin e rënies, dëshmorin e UÇK-së, Hetem Hasaj.
Kryetari i komunës, Besim Ilazi, ka përshëndetur të pranishmit në këtë manifestim, duke shtuar se rënia e dëshmorëve është simbol i lirisë së vendit tonë.
Ai ka thënë se dëshmorët para vetes kishin sakrificën për atdhe, ndërsa pa sakrificën e tyre edhe e ardhmja jonë nuk do të dihej se ç’rrugë do të kishte.
Ndërkohë në emër të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, ka folur Hajrush Kurtaj, kryetar i kësaj organizate, i cili ka pohuar se në këtë përvjetor kujtojmë veprimtarinë, vendosmërinë, lavdinë dhe heroizmin e dëshmorit Hetem Hasaj si dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë.
Në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur në Gajre, kurora lulesh kanë vendosur kryetari i komunës, Besim Ilazi bashkë me zyrtarë komunal, përfaqësues dhe anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë të dëshmorit etj.
Homazhe dhe kurora lulesh janë vendosur edhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve.
/Epoka e re/