Në 21-vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani

13 prill 2020 | 22:25

NJË JETË TJETËR

(Për heroin Agim Ramadani dhe përmbledhjen me poezi me titull “Një jetë tjetër”)

ISMET RASHITI

Agim, asnjëherë nuk i kam harruar takimet që patëm në Bern, Cyrih, Gjenevë… As fjalët nuk i kam harruar që mi thoshe plotë optimizëm. Gjithnjë ke qenë optimist dhe i bindur në fitore, Agim. Që nga ato vite të mbajë fort në zemër, bisedoj me Ty, Agimi bardhësisë, drita e ardhmërisë. Nuk kam pasur forcë të shkruaj më parë, sepse sa herë merrja lapsin, fryma më zihej, dora më dridhej, më plogështohej shpirti… Po tek e fundit çka mund të them unë më tepër, kur t’i i tha të gjitha atje ku duhet.
Më fal Agim që nuk të kam shkruar më herët, po e kam vështirë edhe sot, Agim Ramadani të radhisë fjalë për Agimin, për njeriun e lirisë, për heroin tim që sa herë bisedonim, më jepte shpresë për një jetë tjetër, për një diell tjetër, për një njeri tjetër. Agim, edhe sot, pas kaq vitesh, e kam vështirë të gjejë fjalë, të marrë guxim dhe të shkruaj për Agimin e penës, Agimin e pikturës, Agimin e pushkës, Agimin e thyerjes së kufirit, Agimin e Shqipërisë. Ti ishe vet Shqipëria, Agim që kur linde derisa rilinde sërish për jetë.


Sot, në këtë përvjetor, mblodha forcë ashtu siç më thoshe kur ishim së bashku në Helwtiaplaz të Cyrihut, në sheshin e demonstratave të OKB-së në Gjenevë, e para Konfederatës së Zvicrës në Bern. “Ti duhet të shkruash”, më thoshe, por ti harroje se shkruaje më mirë se unë, se ti ishe heroi i lirisë se ti ishe Agimi që po vinte plotë shpresë.
Në këtë përvjetor, Agim, nuk arritëm të vijmë atje ku bënë roje te “guri i bashkimit kombëtar”. Aty ku jeton, e merr frymë me të ardhmen me gjeneratat. Kësaj radhe nuk munda të pres, e të mos shkruaj për Ty. I mora përpara poezitë, i lexova me një frymë. Pastaj hyra në botën e pikturës tënde, e shikova uniformën e lavdishme të UÇK-së, portretin tënd syshqiponjë. U mallëngjeva dhe mu njomën sytë teksa lexoja përmbledhjen e poezive me titull “Një jetë tjetër”. Ti gjithnjë e ke dashur jetën tjetër të dinjitetit, lirisë, bashkimit, çlirimit. Ti e doje një jetë tjetër sepse ti e doje ardhmërinë e popullit tënd. I doje fushat dhe malet e Kosovës, e doje Gjilanin, Zhegrën tënde. Madje ti i doje me shpirt dhe më shumë se jetën tënde.
Ti ishe shkrirë në trupin e Kosovës, por nuk ishe tretur asnjëherë. Jetoje aty dhe merrje forcë për zhdukjen e robërisë dhe Agimin e lirisë. Pastaj kërkoje vetëm një pikë ujë, ujë Kosove që ta shuajsh etjen e ëndrrave që të ngritnin peshë.
Poezia e Agim Ramadanit nuk është vetëm frymëzim. Ajo është realitet, është besim dhe betim, duke kërkuar një jetë tjetër, jetën normale të njeriut shqiptar. Vargu i Agim Ramadanit është i përmasave heroike sikurse ishte vet jeta e tij. Agimi parandiente të ardhmen me shumë të panjohura: “Nëse nuk shihemi dhe na ndanë jeta, jetoje jetën Nënë sepse patjetër do të vij të bëhem gjumi yt”.


Në rrethana të vështira, Agim Ramadani, nuk mund të përmbahej. Ai protestonte pa e humbur asnjëherë arsyen: “A mjafton të presim, e të shikojmë duke larguar perden për të parë si na vjen liria”.
I tillë është vargu i Agimit: Parandjenjë, analizë, besim dhe ngadhënjim mbi të keqen.
E lexova poezinë tënde për të satën herë, Agim. U çmalla me Ty, mora forcë dhe optimizëm për të ardhmen në këto ditë të vështira.
E radhita përsëri librin në bibliotekën time, pikturat i palova në zemrën time, portretin tënd po e barti me veti, po çmallem, po bisedoj e po të raportoj për gjithçka që po ndodhë në Kosovën tonë. Miku im i djeshëm, Agim, heroi im i përjetshëm nuk dua ta prishi optimizmin tënd që të ka përcjell çdo herë. Ne që nuk arritëm ta mundim vdekjen, e kemi shumë më vështirë të marrim frymë sot nga hardhucat që e kanë mbërthyer Kosovën tonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar masat e reja të kufizimit…