Në 35-vjetorin e rënies, kujtojmë me nderim Sahitin, Enverin dhe Shaniun, dëshmorë të kombit

30 janar 2025 | 19:54

Shkruan: Lulzim Nika

Kanë kaluar 35 vjet që nga demonstratat e fillimviteve ‘90, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.
Jam krenar që në ato momente historike, si nxënës i shkollës së mesme në Drenas, të jem në ballë të demonstruesve, duke valvitur flamurin tonë kombëtar dhe ky moment është përjetësuar në foton e mëposhtme, bashkëngjitur këtij shkrimi.

Atë ditë, thirrjet për liri dilnin nga shpirti ynë, për t’u përhapur në tokë e qiell dhe rinia shqiptare ishte e vetëdijshme për çastin historik nëpër të cilin po kalonte Kosova, por edhe e gatshme për t’u flijuar për atdheun.

Drenica me historinë e lavdishme të rezistencës dhe luftës për liri, ndër shekuj do të dëshmonte se ishte vatër e përhershme e rezistencës dhe lirisë.

Qytetarët e komunës së Drenasit para 35 vitesh, iu bashkuan demonstratave gjithëpopullore anë e kënd Kosovës kundër aparteidit dhe gjenocidit, ndërsa Drenasi ishte pikasur nga organet militariste jugosllave, që përmes njësive të specializuara policore e ushtarake, për ta ushtruar terrorin shtetëror.

Historia atë ditë kishte përzgjedhur Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën të ishin martirët e patrembur kundër njësive okupatore, të cilave ua bënë me dije se kjo tokë nuk duronte robërinë. Ata, me guximin e tyre u bënë pjesë e pavdekshme e historisë dhe lirisë tonë.

Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët mbi barrikada së bashku me mijëra demonstrues u ballafaquan me forcat e njësisë speciale të ish shtetit okupator jugosllav. Ata ranë dëshmorë në rrugën e cila do të shpinte drejt çlirimit të vendit, në rrugën e nderit dhe lavdisë.

I përjetshëm është kujtimi për Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës,…