Në përkujtim të 35-vjetorit të rënies së Afrim Zhitise dhe Fahri Fazliut
Nga Skender Haliti – Një atdhetar i palëkundur që për atdhe flijonte gjithçka
Në këtë shkrim jubilar do të flasë kryekëput për Fahri Fazliun, sepse atë e kam njohur nga afër dhe me të kam qenë në lidhje organizative në punët ilegale. Afrimin e kam njohur ndryshe, më në distancë, pa qenë në lidhje organizative me të, flisnim herë pas here për literaturën ilegale dhe problemet e kësaj veprimtarie, por pa obligime organizative, kështu që mendoj se nuk jam njeriu i duhur për të folur për të. Ka për fat të mirë ende shumë njerëz të tjerë që e kanë njohur atë nga afër, që kanë punuar me të dhe që mund të flasin e shkruajnë për Afrim Zhitinë.
Para 35 vjetësh Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia luftuan në Breg të Diellit me qindra policë jugosllavë që i kishin rrethuar dhe donin t’i arrestonin, por ata zgjodhën rrugën e qëndresës. Akti i tyre trimëror në atë kohë dhe më vonë pati jehonë të gjerë në hapësirën shqiptare dhe sot kujtohet me të drejtë me krenari. Në një kohë kur fjala e lirë nuk lejohej, qëndresa ishte i vetmi akt dinjitoz. Fahriu dhe Afrimi ishin kalitur në luftën politike, kështu që për bindjet e tyre ishin në gjendje edhe të luftonin ashtu siç edhe luftuan dhe vdiqën si heronj. Dua të theksoj faktin se nuk ishte vetëm qëndresa e tyre heroike, por e gjithë jeta e tyre.
Për kohën për të cilën shkruaj këtu, mund të them pa e tepruar aspak se ka qenë një kohë tepër e rrezikshme. Çdokush që bënte diçka kundër shtetit jugosllav, kishte arsye të jetonte në një gjendje alarmi të vazhdueshëm. Policia politike ishte si një qen gjahu i tërbuar. Ilegalja shqiptare punonte pa u ndalur kurrë, por edhe policia politike jugosllave vazhdimisht ishte në ndjekjen e saj. Kur them policia jugosllave, flasë me kritere formale, sepse në këtë polici shumica ishin shqiptarë etnikë dhe aspak sllavë, por pa asnjë dyshim shefi i madh i tyre nuk ishte shqiptar. Shqiptarët edhe të vrisnin, por llogaria ishte serbe. Ishte një atmosferë e vërtetë tendosjeje dhe lufte, ngadalë po afrohej finalja. Disa njerëz ndoshta dhe e perceptonin Jugosllavinë si një shtet të përjetshëm, por në fund të viteve 1980 dukej qartë për njohësit e mirë të proceseve politike se ajo si bashkësi shtetërore nuk kishte edhe shumë kohë përpara.
Ata që ishin në shtjellën e ngjarjeve, ata që përfitonin nga ekzistenca e këtij shtetit drejtpërdrejt dhe që ne sot zakonisht i quajmë jugonostalgjikë, edhe mund të mos e vinin re këtë zhvillim fatal, por për njerëzit esull punët shiheshin: ky shtet nuk kishte të ardhme. Njerëzit kudo ishin të pakënaqur dhe të frikësuar. Nuk thuhet kot fshati që shihet nuk do kallauz. Disa thonë se pakënaqësia nuk është faktor rrënues për shtetet. Mund të jetë që nuk është faktori kryesor, por një shtet me qytetarët e tij të pakënaqur zor se mbijeton. Pakënaqësia është simptomë dhe jo shkak, për këtë pajtohemi, por shenjë e mirë nuk është asnjëherë.
Teorikë të ndryshëm ekzistencën e Jugosllavisë e lidhin me një mision të caktuar, në këtë dritë e shikuar, asaj po i soseshin ditët. Pas rënies së Murit të Berlinit priteshin tronditje në mbarë kontinentin. Jugosllavia ishte një miniperandori që përbëhej nga shumë popuj, por këta popuj, në radhë të parë shqiptarët si popull jo-sllav, e përjetonin këtë ngrehinë shtetërore si një ndëshkim të madh të pamerituar. Thuhej se duhej të jetonim në vëllazërim dhe bashkim, por realiteti tregonte se ajo që thuhej s’ishte e vërtetë. Veç serbëve, të gjithë, sipas mundësisë, gërmonin me kazma në themelet e saj. Nuk e donin, edhe kur nuk punonin kundër saj. Vetë Tito-ja duhet ta ketë ditur mirë këtë gjë, por s’bëri kurrgjë apo s’mundi të bënte asgjë për shpëtimin e saj. Në tetor të vitit 1979 ai e vizitoi shkurt Prishtinën ku i thanë se grupet ilegale shqiptare e kanë rritur aktivitetin e tyre subversiv, por lideri jugosllav sikur nuk u brengos shumë për krijesën e tij. Në fakt ai ishte vetë i sëmurë. Ishte dhe shumë plak. E sëmura e Ballkanit kishte një diagnozë tepër të keqe, atë s’e shpëtonte asnjë mjek. Këtë gjë e dinte Tito-ja i moshuar që do të vdiste disa muaj më vonë në një spital slloven. Serbët që përfituan shumë pas Luftës së Parë Botërore, të cilën e shkaktuan me Atentatin e Gavrilo Princip-it në Sarajevë në qershor të vitit 1918 për shpërbërjen e Jugosllavisë bëjnë përgjegjës kryesisht Kroacinë e Slloveninë dhe pyesin se ku do të ishin këta popuj tani pa këtë Jugosllavi. Edhe gazetari i njohur amerikan i gazetës së madhe “The Neë york Times“, David Binder, shkruante në vitet 1990 se edhe Serbia nuk do të ishte zgjeruar aq shumë pa mbështetjen e jashtme. Sidomos me shqiptarët ajo nuk do të mund të bënte gjë pa mbështetjen e jashtme politike. Shqiptarët në prag të Luftës së Parë Botërore ishin për serbët një faktor i papërballueshëm.
Të kthehemi te atmosfera në Prishtinë në prag të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX. Lufta ende bëhej në mënyrë politike, por gjithkush e kuptonte se mjetet e saj për çdo ditë po shteroheshin, po pakoheshin me shpejtësi edhe ditët e këtij shteti kundër shqiptar. Policia politike e kishte rritur egërsinë e saj dhe, për rrjedhojë, edhe ilegalët përgatiteshin shpirtërisht për një ndeshje për jetë a vdekje me ta. Klauseëitz thotë se lufta i gjen mjetet e saj edhe në kohë paqeje. Ne jetonim në një kohë të tillë kur lufta bëhej me fjalët-armë.
Kërcënimet e Beogradit politik ishin të hapëta ndaj shqiptarëve. Serbët e ndienin veten të fortë ushtarakisht, ndaj dhe donin ta hapnin një ore e më parë frontin e jugut. Një luftë e armatosur duhet të bëhet kur të duhet dhe jo kur të imponohet. Por një elitë politike që udhëhiqet nga urrejtja nuk është në gjendje të bëjë dallimin e saktë mes këtyre gjendjeve. Serbia po ecte drejt izolimit të saj, duke shpresuar se shqiptarët e frikësuar do të dorëzoheshin. Pas gjunjëzimit të shqiptarëve, Veriperëndimi i vendit do të mundej lehtësisht. Kështu i bënin hesapet strategët politikë e ushtarakë në Beograd. Ishte kohë tërbimi në politikë. Njeriu në këto rrethana vërtet duhej të bënte gjithçka që të mos binte i gjallë në duart e këtyre bishave. Fahriu shpesh më fliste për Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën që nuk u dorëzuan të gjallë në rrethimin e janarit të vitit 1984. Hetimet ishin kthyer në një spektakël torturash. Sadistët në zyrat e shtetit kishin dalë në sipërfaqe dhe bënin ligjin. Serbët e kishin humbur besimin në truqet e tyre mashtruese e frikësuese, ata gjithnjë e më tepër i besonin torturës sadiste dhe terrorit në masë. Nuk ishte kurrfarë fshehtësie në qarqet ilegale se kohët kishin ndryshuar dhe bashkë me të edhe lufta politike po bëhej më e ashpër dhe jo thjesht politike, por një lloj lufte hibride në kuptimin që krahas anës politike në luftë po integroheshin gjithnjë e më shumë edhe elementë të qëndresës së armatosur.
Në fillim të viteve të para të kësaj dekade, të viteve 1980, gjithçka kishte pamje politike dhe paqësore, si të thuash një idilë revolucionare, tani, në fund të këtij dhjetëvjeçari dramatik, gjithçka kishte ndryshuar nga themelet. Gjendja shkonte drejt një konfrontimi ushtarak në stil të gjerë, kjo ishte përshtypja dhe droja e përgjithshme. Dhjetë vjet luftë politike e kishin bindur masën e njerëzve se me mjete paqësore zor se mund të ndryshohej diçka me këtë regjim kriminal. Mund të thuhet se në këtë pikë mbizotëronte një lloj dëshpërimi i përgjithshëm, sepse shihej që pushtet mbajtësit nuk reagonin aspak me ndjeshmëri politike, por ishin barrikaduar pas mbrojtjes dogmatike të asaj që ekzistonte dhe betoheshin se ishin në gjendje ta mbronin me armë këtë gërdallë që kishte kaluar prej kohësh afatet e skadencës dhe duhej të bënte reforma e ndryshime të mëdha, nëse donte të mbijetonte në kushtet e reja. Prej Jugosllavisë popujt e saj prisnin heqjen dorë nga mjetet represive dhe një demokraci që nuk njihte asnjë popull titullar me ingerenca për përdorimin e dhunës ndaj të tjerëve që kërkonin reforma të mëdha. Megjithatë, masa e njerëzve nuk besonte aspak te ndryshimi, por ishte e frikësuar nga konfrontimi ushtarak i mundshëm i dy blloqeve që luftonin në anë të kundërta të frontit dhe askund nuk shiheshin shenja të marrëveshjes mes tyre. Fahriu dhe Afrimi e njihnin nga afër këtë tipar të shtetit jugosllav që me të gjitha mekanizmat e tij institucional ishte në ndjekjen e armiqve të tij. Ky shtet ishte jo vetëm një shtet jodemokratik, por edhe një shtet totalitar, me një polici politike që kontrollonte gjithçka dhe ishte i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve të saj dhe atyre që klasifikoheshin si të tillë. Vetëm në Kosovë nëpër duart e policisë kishin kaluar rreth 600.000 qytetarë shqiptarë ose 1/3 e banorëve të Kosovës. Atë që s‘e arrin politika, s‘mund ta arrijë as policia. Në vitet 1990 pjesa e popullsisë së keqtrajtuar nga policia është rritur edhe më shumë si përqindje, si shifër relative.
Me 2 nëntor të vitit 1989, pak javë pas rënies së Murit të Berlinit në Prishtinë, në Bregun e Diellit, politika ia lëshoi fushëbetejën luftës. Faktikisht deri në paraqitjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lufta e armatosur ishte pjesë e qëndresës shqiptare. Atëbotë , në fund të viteve 1980, Serbia ende ishte e fortë, ndaj dhe i vrau në rrethim Fahri Fazliun dhe Afrim Zhitinë. Mirëpo nga ky moment do të ndryshojë gjithçka në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Pothuajse një decenie më vonë trupat serbe, policia dhe ushtria do ta lëshojnë përfundimisht territorin e Kosovës. Me 12 qershor 1999 marshojnë në vendin tonë trupat tokësore të shteteve anëtare të NATO-së. Pas tetë vitesh e gjysmë të protektoratit ndërkombëtar dhe pranisë së KFOR-it në Kosovë vendi ynë e shpalli pavarësinë dhe sot ky shtet njihet nga shtetet më te mëdha perëndimore si ShBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca, Japonia, Australia, etj.
Para se ta mbyll këtë shkrim përkujtimor dua të kujtoj një ngjarje që lidhet me grevën e madhe të minatorëve. Në shkurt 1989, Fahriu erdhi herët në mëngjes në banesën time në lagjen e Muhagjerëve ku banoja te Zahir Thaqi dhe na solli traktet që ne duhej t’i shpërndanim në Ferizaj dhe Viti. Fahriu më tha që gjatë shpërndarjes se trakteve të merrnim armë me vete. Traktet ishin të futura në qese të detergjentit. Atë ditë unë dhe Ekrem Qerimi i dërguam në Ferizaj, përkatësisht në Viti dhe natën i shpërndamë ato. Grevës së minatorëve që ishin revoltuar nga shtypja i behej jehonë politike përmes këtyre trakteve ilegale. Legalja dhe ilegalja gërshetoheshin në këtë moment historik, duke i treguar Beogradit se qëndresa shqiptare ishte e pranishme në të gjitha segmentet e shoqërisë. Megjithatë këto ngjarje e zhvillime, Slobodan Milosheviçi, disa javë më vonë e abrogoi autonomin e Kosovës. Mjetet politike ngadaë po e humbnin çdo efekt mbi aparatin shtetëror që ndaj shqiptareve sillej me shpërfillje të plotë. Shqiptarët tanimë nuk ishin qytetarë të rendit të dytë, por të rendit të fundit. Ata madje nga pushtetarët nuk llogariteshin as si njerëz. Ne hotelin më të madh të Prishtinës, në Grand, që shkruar dikund “Ndalohet hyrja e qenëve dhe e shqiptarëve“. Politika dhe mjetet e saj gjithnjë po tregoheshin joefektiv përballë këtij arbotroi shovenist.
Mes 2 nëntorit të vitit 1989 dhe dy nëntorit 2024 janë plote 35 vjet, prej tyre pothuajse 16 vjet shtetësi të Kosovës. Kosova asnjëherë nuk u ngrit në statutin e republikës së federuar jugosllave, por u be direkt shtet i pa varur, ashtu siç e ëndërronin Fahriu e Afrimi.
Shteti i Kosovës nuk u lind vetëvetiu, rrënojat e tij janë në gjakun e atyre qe u flijuan ne altarin e lirisë se tij. Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ishin ndër të parët që dhanë jetën për këtë tokë.