Në 4-vjetorin e vrasjes së heroit Qerim Kelmendi nesër bëhen homazhe në Gllogjan
Nesër, më 27 shkurt, në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan të Deçanit, nga ora 11:30 do të bëhen homazhe në përkujtim të 4-vjetorit të vrasjes së heroit Qerim Kelmendi.
Familja Kelmendi përmes një letre dërguar medieve, ku edhe ka njoftuar për organizim e homazheve, ka bërë apel që mediet të ushtrojnë ndikimin e tyre dhe të luajnë rol vendimtar në nxitjen e Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese për të vepruar me përgjegjësi dhe të sjellin drejtësi për vrasjen familjarit të tyre, Qerim Kelmendit.
“Është jetike që media të mbajë gjallë interesin për çështje kaq të rëndësishme, duke kontribuar në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe në arritjen e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. Përkushtimi juaj për një raportim të drejtë dhe të pavarur mund të jetë kyç në ndryshimin e dinamikës së kësaj çështjeje, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke i dhënë fund një periudhe të gjatë të pasigurisë për familjen tonë. Kjo betejë nuk është vetëm për drejtësinë e Qerim Kelmendit, por edhe për të mbrojtur vlerat e drejtësisë dhe pavarësisë në shoqërinë tonë. Ju falënderojmë paraprakisht për vëmendjen dhe mbështetjen tuaj. Jemi të bindur se zëri juaj mund të bëjë një ndryshim të madh në këtë luftë për drejtësi, jo vetëm për Qerim Kelmendin por edhe për çdo individ që kërkon drejtësi”, thuhet në apelin e familjes Kelmendi.
Qerim Kelmendi ishte veteran i UÇK-së dhe veprimtar i LPK-së.