Në 40 vjetorin e demonstratave të vitit 1981

10 mars 2021 | 18:44

Shkruan: Shaban Çupi – 

11 marsi i vitit 2021, shënon 40 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 për Kosovën Republikë. Demonstratat filluan në Prishtinë më 11 mars në Menzën e Studentëve, për të kulmuar më 26 mars dhe 1 e 2 prill të vitit 1981.

Demonstratat ishin masovike dhe thellësisht politike dhe pos Prishtinës, përfshinë edhe shumë qytete të tjera. Parulla kryesore e demonstruesve ishte/ Kosova Republikë/, një kërkesë kjo aq kombëtare dhe shumë specifike për shkatërrimin e Jugosllavisë 22 milionëshe. Krahas kësaj parulle, në demonstrata u brohoritën edhe parulla të tjera, si /Trepça punon, Beogradi shfrytëzon/ S`jemi jugosllav, por shqiptarë/ Republikë Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë/ Punë, Barazi, Liri, e të ngjajshme.

Demonstratat u shtypën me dhunë, ku pati të vrarë e shumë të plagosur. Në shuarjen e demonstratave morën pjesë edhe njësitë special nga Beogradi dhe vendet e tjera të ish Jugosllavisë titiste, por përkundër kësaj dhune të shfrenuar shoveniste e fashiste serbo jugosllave, rinia shqiptare kishte filluar rrugën e çlirimit të atdheut, dhe ashtu siç e dëshmoi edhe koha, s`pati forcë që e ndalë në rrugëtimin e mëtejmë.

Përballë kësaj ngjarje të madhe kombëtare, forcat pushtuese serbo jugosllave, me çdo kusht tentuan ta shuajnë këtë Lëvizje, andaj krahas vrasjeve e plagosjeve, filluan arrestimet në masë të akterëve që kishin marrë pjesë në demonstrata ose që ishin përfshirë në Lëvizjen ilegale për Kosovën Republikë.

Treva e Hanit të Elezit, në atë kohë me status të Bashkësisë Lokale e që gravitonte në komunën e Kaçanikut, edhe në këtë ngjarje të madhe kombëtare ishte mjaftë aktive. U shkruan parulla, u shpërndanë pamflete dhe u formuan grupe ilegale për luftë të mëtejshme dhe për pasojë, nga UDB, zbulohen dhe dënohen me dënime të rënda burgu. Krahas burgut ndaj veprimtarëve politik, pushtuesi mori edhe masa diferencuese në shoqëri, ku familjet e të burgosurve, jo vetëm që ndiqeshin e persekutoheshin egërsisht, por edhe izoloheshin nga shoqëria deri në leqitje.

Ky vrull rinorë që shpërtheu si vullkan në vitin 1981, nuk do të ndalet gjatë tërë këtij dhjetëveçari, me përballje e sakrifica të shumta, por edhe vetëdija kombëtare dhe guximi popullorë erdhi duke u rritur, kështuqë më 26 janar të vitit 1990 në Han të Elezit, përherë të parë arritën që të shpërthejnë edhe demonstratat e para në historinë e kësaj treve, të cilat edhe këto u shuan me kërbaq, gaz lotësjellës dhe plumb të armikut.

Meqenëse jemi në vigjilje të 11 marsit, pra të Pranverës Shqiptare `81, ne kemi përfshirë vetëm periudhën dhjetë vjeçare të këtyre demonstratave, sepse lufta për çlirim e liri do të vazhdoj edhe më me shumë sakrifica edhe pas vitit 1990, por fokusi ynë janë demonstratat e vitit 1981, dhe si pasojë e kësaj veprimtarie ilegale politike, me burg u dënuan këta bashkëvendës,

Të dënuar për vepër penale

  1. Gafurr Loku me gjithësej 8 vite e 6 muaj burg
  2. Bajram Dernjani 5 vite burg
  3. Shaban Çupi 4 vite e 6 muaj burg
  4. Ibrahim Curri me 3 vite burg
  5. Mehmet Ballazhi me 2 vite burg
  6. Nexhat Ballazhi me 2 vite burg
  7. Ferat Curri me 4 vite e 6 muaj burg

Me kundërvajtje politike

  1. Sejdi Dernjani 60 ditë burg
  2. Naser Dernjani 60 ditë burg
  3. Abit Kuka 60 ditë burg
  4. Ekrem A. Rogaqi 60 ditë burg
  5. Selajdin Suma 60 ditë burg

Ndërsa për pjesëmarrje në demonstratën e janarit 1990, u dënuan

  1. Emrush Dernjani 30 ditë burg
  2. Mehmet Ballazhi 30 ditë burg
  3. Nexhat Ballazhi 30 ditë burg
  4. Zekirija Shkreta 60 ditë burg
  5. Minah Shkreta 60 ditë burg
  6. Fatmir Meliqi 60 ditë burg
  7. Fehmi Meliqi 40 ditë burg
  8. Menduh Brava 40 ditë burg
  9. Ibrahim Vila 30 ditë burg
  10. Fehmi Braka 30 ditë burg
  11. Murat Loku 40 ditë burg
  12. Rabit Kurti 30 ditë burg
  13. Fahri Bushi 60 ditë burg

Nderë e respekt për gjeneratën e vitit 1981, nga të cilët shumë sosh, aktivitetit nuk do t`i ndahen deri në çlirimin e plotë të Kosovës, madje edhe armë në dorë si pjesëtarë të UÇK së.

Autori është kryetar i Degës së Shoqatës së të Burgosurve Politik në Han të Elezit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka liruar nga…