Në 43-vjetorin e rënies, përkujtohen Tahir e Nebih Meha
13 maj 2024
| 14:54
Në 43-vjetorin e rënies së Tahir e Nebih Mehës, është nderuar sakrifica e dëshmorëve, në luftën e tyre përballë forcave të mëdha jugosllave, më 13 maj të vitit 1981.
Me këtë rast, janë vendosur buqeta me lule te varret e Tahir e Nebih Mehës në Prekaz të Skenderajt, nga kryetari i Komunës, Fadil Nura, nënkryetari gjeneral Sami Lushtaku, kryesuesja e Kuvendit, Adelina Spahiu, gjeneralë e ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, drejtorët komunalë, anëtarët e Kuvendit dhe qytetarë të shumtë.
Po në këtë përvjetor, është bërë edhe zbulimi i pllakës së shtëpisë së Nebih Mehës, e cila kishte shërbyer si bazë e UÇK-së në kohën e luftës.