Në 80-vjetorin e lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova
Fatmir Lekaj
Rikujtim nga Oslo, Norvegji
Në shenjë nderimi në 80-vjetorin e lindjes së misionarit të paqes dhe presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, në vijim po paraqes një foto dhe dy faksimile. Foto është nga vizita e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, më 14 – 18 shkurt 1990, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo (në foto nga e majta: Kristoffer Gjøtterud, Berit Backer, Ibrahim Rugova dhe Shkelzen Maliqi). Ndërsa njëra faksimile është agjenda e kësaj vizite dhe faksimilja tjetër është një shkrim në lidhje me këtë vizitë.
Vlen të theksohet se kryeorganizatorja e kësaj vizite (idealistja dhe mikja e madhe e shqiptarëve) Berit Backer, ka qenë një studiuese e kulturës shqiptare që nga vitet ’70 dhe njohëse e spikatur (nga të huajt) e gjendjes shoqëroro-politike në Kosovë dhe Shqipëri, gjithashtu veprimtare e shquar për kyçjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit. Me fjalë të tjera, Berit Backer e ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm “nga të huajt” për Kosovën gjatë viteve ’80 dhe fillimviteve ’90, veçanërisht pasi që kishte filluar bashkëpunimin me LPK-në në vitin 1987. Përkatësisht gjatë një periudhe historike kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve” dhe sidomos kur Kosova kishte më së shumti nevojë që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur” t’i informojnë, dhe veçanërisht të bindin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Njëherësh Berit Backer në koordinim me veprimtarët e LPK-së, Nufri Lekën, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitin etj., dhe me mikun dhe bashkëpunëtorin e saj norvegjez Kristoffer Gjøtterud, e ka themeluar në vitin 1988 Grupin për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale për Kosovën, që pati një ndikim të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit (Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s, Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – KSBE-s etj.). Ndërsa, Kristoffer Gjøtterud ka qenë një shkencëtar i mirënjohur norvegjez në lëmin e fizikës bërthamore-nukleare, njëkohësisht i interesuar për epistemologjinë dhe metafizikën, në kuptimin e ndërlidhjes në mes të besimit, fesë dhe shkencës etj., së këndejmi ashtu veprimtar i mirënjohur ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit. Me fjalë të tjera, një personalitet shumë i nderuar dhe me ndikim, përveç të tjerash, kryetar i Komitetit për Hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik, që nga viti 1982 (veçanërisht i përkushtuar për shkencëtarët hebrenj, të cilëve iu vështirësohej dhe ndalohej udhëtimi jashtë Bashkimit Sovjetik). Gjithashtu, ka qenë bashkëpunëtor i Grupit të Helsinkit të Moskës (Moscow Helsinki Group), i themeluar dhe i inkurajuar në vitin 1976, nga veprimtarët e mirënjohur rusë për të drejtat e njeriut, përkatësisht fizikani dhe nobelisti Andrej Sakharov, historiania Ljudmila Aleksejeva, fizikani Jurij Orlov etj. Rrjedhimisht, Kristoffer Gjøtterud, me këtë prapavijë dhe ndikimin që kishte në kuadër të Procesit të Helsinkit etj., e ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për Kosovën, sidomos si pjesë e udhëheqjes dhe si veprimtarë i Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-s), njëherësh nënkryetar i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH).
Gjithashtu vlen të theksohet se në vazhdën e zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë pas shembjes së murit të Berlinit, GKKNH (duke marrë parasysh se një ndër pikat kyçe të veprimtarisë në kuadër të Procesit të Helsinkit ishte inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse), menjëherë pas themelimit të LDK-së e organizoi vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990. Me sugjerim të Berit Bakerit dhe Kristoffer Gjøtterudit që të reflektohet pluralizmi politiko – demokratik i Kosovës, delegacioni ishte në përbërje nga Ibrahim Rugova, kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlzen Maliqi, kryetar i partisë Social-Demokrate të Kosovës, dhe Nufri Lekaj në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, të cilët u takuan me disa personalitete të rëndësishme shtetërore dhe kulturore norvegjeze. Në vazhdën e kësaj vizite të delegacionit të Kosovës në Oslo dhe me nisje nga Oslo, GKKNH, nëpërmes kontakteve që kishte Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., ka lobuar që t’i hapen dyert misionarit të paqes, Ibrahim Rugovës, nga politikanët perëndimorë, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar.
Foto është shkrepur nga Blerim Rexhepi gjatë takimit të hapur me gazetarë dhe të tjerë të pranishëm më 17.02.1990 në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, ku ishte prezent edhe autori i këtij shkrimi. Ndërsa faksimilja e agjendës dhe e shkrimit në lidhje me këtë vizitë, janë nga arkivi i autorit të këtij shkrimi.