Në afatin njëjavor priten sugjerimet dhe rekomandimet për Projektligjin për kripto-asetet
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila, kryesuese e grupit punues, ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për kripto-asetet.
Nënkryetarja Kusari-Lila, kronologjikisht shpalosi procedurat e deritanishme në të cilat ka kaluar ky projektligj, duke specifikuar rëndësinë e dëgjimit publik për të marrë rekomandimet, sugjerimet dhe kritikat lidhur me këtë projektligj.
Në këtë dëgjim publik ishin të pranishëm përfaqësues nga Banka Qendrore e Kosovës, Njësia për Inteligjencë Financiare, përfaqësues nga kompania Cacttus, përfaqësues nga ATK-ja, Dogana e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, KEDS, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Tregtare Kosovare Turke.
Disa nga përfaqësuesit e institucioneve dhe kompanive të sipërpërmendura, parashtruan një sërë pyetjesh lidhur me transparencën, autorizimin, operimin, transaksionet dhe mbrojtjen e të dhënave që prek ky projektligj.
Monitorimi dhe mbikëqyrja e kripo-asteve në Kosovë, kriteret e autorizimit dhe licencimit, ishin po ashtu tema me interes diskutimi.
Si rrjedhojë, anëtarët e komisionit parashtruan qëndrimet e tyre, duke theksuar se nëpërmjet dëgjimit publik sigurohet efektshmëria edhe më e madhe e këtij projektligji dhe pasurohet fusha legjislative që rregullon aspektin e kripo-valutave në vend.
Me theks të veçantë u përmend rëndësia e Bankës Qendrore të Kosovës në licencim, autorizim dhe mbikëqyrje të operatorëve dhe rëndësia e Njësisë së Inteligjencës Financiare në monitorimin dhe lëvizjen e transaksioneve dhe mbështetjen e implementimit të projektligjit në tërësi.
Duke e konsideruar projektligjin si hap pozitiv drejt rregullimit të fushës së kripo-aseteve, nënkryetarja Kusari-Lila, ripotencoi afatin njëjavor për ridërgimin e komenteve me shkrim, të cilat do të shqyrtohen nga grupi punues i Projektligjit për kripto-asetet.