Në Afganistan vriten shtatë anëtarë të një familjeje
Policia e Afganistanit ka bërë me dije se persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje shtatë anëtarë të një familjeje në Kabul.
Zëdhënësi i policisë, Ferdous Faramurz, ka thënë se incidenti ka ndodhur në një lagje në perëndim të kryeqytetit afgan, mëngjesin e së hënës.
Faramurzi ka thënë se tri gra dhe dy fëmijë janë në mesin e të vdekurve, ndërsa dy anëtarë të familjes u plagosën.
Faramurzi ka thënë se policia beson se vrasjet kanë të bëjnë me një mosmarrëveshje rreth tokës.
“Gjetjet e policisë tregojnë se bëhet fjalë për armiqësi familjare”, ka thënë ai.
Faramurzi ka theksuar se policia nuk ka arrestuar ende askënd, porse ka nisur hetime.
Mosmarrëveshjet rreth tokave janë të zakonshme në Afganistan, ku 40 vjet të luftës kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në të gjithë vendin.
Kur kthehen, ata shpesh i gjejnë pronat e tyre të zëna ose të shitura te familje të tjera.