Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u promovuan dy librat e autorit Ethem Çeku “Shqiptarët 1830-1908” dhe “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”
Në këtë veprimtari të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë morën pjesë edhe z. Agim Çeku, kryeministër i mëparshëm i Kosovës; Paskal Milo, ministër i jashtëm i më përparshëm, deputetët Namik Dokle e Spartak Braho e të tjerë –
Akad Marenglen Verli prezantoi dy studimet e prof. Ethem Çekut për prurjet në rrafshin historik.
“Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”, tha ai, i vë ngjarjet në kontekstin më të gjerë të gjithë faktorëve që kanë çuar në krijimin e shtetit shqiptar dhe më pas, shqiptarëve si komb, duke hedhur dritë në një kuptim më të mirë të situatës aktuale politike në Ballkanin Perëndimor.
Ky libër trajton atë që mbetet çështja kryesore e luftës së shqiptarëve për pavarësi: marrëdhëniet konfliktuale midis lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe xhonturqve, por edhe marrëdhëniet me monarkitë ballkanike. Ethem Çeku ofron një perspektivë njohëse të dokumentuar mirë dhe një perspektivë të të parit edhe më përtej çështjeve të historisë shqiptare.
“Shqiptarët 1830-1908” analizon thellë marrëdhëniet shumë komplekse të shqiptarëve me Perandorinë Osmane, duke u mbështetur në burime dhe literaturë të pasur, që i shërbejnë studimit të raporteve të popujve të Ballkanit me Perandorinë Osmane.
Prof. Hamit Kaba mbajti një kumtesë për librin “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”. Ai tha se dy vëllimet e fundit “Shqiptarët 1830-1908” dhe “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” shënojnë arritjen më të mirë të prof. Çekut. Prof. Kaba tha ndër të tjera se libri është shkruar me sens kritik, ku spikatin përpjekjet e për t’u çliruar nga emocionet patriotike ideologjike dhe fetare dhe nga tradita viktimizuese – fenomen i shfaqur jo vetëm tek shqiptarët, që e kërkonte fajin jashtë vetes; tek fqinjët ballkanikë, tek fuqitë e mëdha apo tek përqafimi i fesë islame.
Autori është kritik ndaj elitës shqiptare ndaj vonesës dhe vizioneve të saj për ndërtimin e shtetit kombëtar, ndaj hezitimeve objektive dhe subjektive të saj dhe të shoqërisë shqiptare për t’u ndarë nga shteti osman që po shembej. Elitat shqiptare të kësaj kohe ngjanin me “lëvizjen e unazave të Saturnit”, me jetën pa thyerje të mëdha dhe me privilegjet osmane. Veçanërisht kritik autori është shfaqur ndaj pjesëmarrjes së elitës politike shqiptare në parlamentin osman në vitet 1910-1912. Angazhimi politik i tyre në parlamentin osman e kishte ngadalësuar procesin e lëvizjeve kryengritëse kundër Perandorisë Osmane.
Në kohën e ndarjes nga periudha osmane mentaliteti osman ishte ende i fortë veçanërisht tek popullsia myslimane, por edhe tek popullsia shqiptare e besimeve të tjera, të cilat buronin nga jetesa gati 500-vjeçare nën perandorinë osmane dhe nga politikat e shteteve fqinje, që nuk e donin krijimin e kombit shqiptar. Ndarjet dhe përçarjet fetare të injektuara nga politikat e perandorisë osmane, por edhe të Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, u reflektuan edhe pas shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.
Akad. Pëllumb Xhufi mbajti një kumtesë për librin “Shqiptarët 1830-1908”. Ai tha se shekulli i XVIII, shekulli i krijimit të shteteve kombëtarë, i gjeti shqiptarët dekada mbrapa për sa i përket zhvillimit ekonomik, social, kulturor e mbi të gjitha politik në raport edhe me vendet fqinje ballkanike. Prej katër shekujsh ata lëngonin në sundimin e perandorisë osmane, në pjesën më të madhe ishin njësuar në fe me pushtuesin, ashtu siç ishte njësuar me pushtetin e sunduesve paria feudale e tyre.
Vërtetë nga shekulli XV e deri në shekullin XIX diplomatë e historianë të huaj i veçojnë shqiptarët si të vetmin popull që mbajti gjallë vlagën e kryengritjeve antiosmane, dhe një gjë e tillë i kishte afirmuar shqiptarët si një popull me personaliet të veçantë, të dalluar nga fqinjët sllavë e grekë. Por, në mungesë të një vizioni politik e të një udhëheqjeje kombëtare, frytet e kryengritjeve të tyre i korrën pothuajse gjithnjë të tjerët. Kështu askush në Europën e shekullit të XIX nuk arrinte ta përfytyronte bashkimin e shqiptarëve ë një shtet kombëtar të pavarur e sovran.
Siç autori i këtij libri prof. Çeku nënvizon – kishte në atë kohë edhe politikanë të shquar si kryeministri britanik lordi Beaconsfield, ambasadori i tij i gjithëfuqishëm në Stamboll Goschen, apo edhe ambasadori i Francës po në Stamboll Fournié, të cilët i konsideronin shqiptarët në faktorë të rëndësishëm për të ndalur daljen e Rusisë në brigjet e Egjeut, dhe që mendonin edhe për krijimin e një Shqipërie të madhe, por asnjëri prej këtyre nuk e përfytyronte këtë Shqipëri të madhe një shtet të pavarur, por thjesht si një etnitetet parapolitik të bashkuar me Greqinë. Madje dhe politikani dhe kryeministri italian me origjinë shqiptare Francesco Krispi, ndërsa parashikonte krijimin e shteteve të pavarura të Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Rumanisë, madje dhe të Maqedoninë, nuk kishte besim në një shtet të mëvetësishëm shqiptar, ndaj dhe ai e shihte zgjidhjen në një përfshirje të shqiptarëve në suazën e shtetit grek. Por, – shkruan autori Çeku – problemin e bënte më të rëndë fakti se paria e vendit, aristokracia shqiptare feudale e turkoshake kundërshtonte atë kohë edhe formën fillestare të projektit rilindës, atë të bashkimit të katër vilajeteve me popullsi shqiptare, ose kryesisht shqiptare në një vilajet të vetëm.
Akad. Xhufi e vlerësoi librin për nxitjen e reflektimeve për çështje madhore siç është rilindja kombëtare dhe më gjerë. Në fund të diskutimit si vlerë të rëndësishme të studimit të prof. Ethem Çekut “Shqiptarët 1830-1908”, akad. Xhufi përcaktoi faktin që ai thyen një heshtje të imponuar nga politikat shkencore “shallvaregjera” të këtyre viteve, dhe rikthen në vëmendje të opinionit një epokë që nuk mund të zhbëhet.
Për dy vëllimet e porsabotuar të autorit (“Shqiptarët: 1830-1908” dhe “Shqiptarët e Shqipëria: 1908-1912) foli edhe studiuesi Shaban Sinani. Ai theksoi si vlerë të veçantë të dy vëllimeve paraqitjen e çështjes shqiptare në kontekste zhvillimesh më të mëdha në perandori e në pjesën europiane të saj, si luftërat, rebelimet, krizat e reformat). Nuk është e rastit që kufijtë kronologjikë të dy periudhave përkojnë me përpjekjet e vetë perandorisë për të shpëtuar veten përmes reformave (Tanzimati, revolucioni xhonturk). Çështja shqiptare nuk ka qenë e izoluar, përkundrazi, është ndikuar edhe prej revolucioneve kombëtare dhe pavarësimit të popujve në Ballkan, ka ndërvepruar me lëvizje të tjera kombëtare në rajon.
Në vijim ai theksoi si cilësi të metodës së autorit kriticizmin, kritikën e burimeve, jo përjashtimin e tyre. Me interes është përfshirja në gjykimin kritik e “shkencës së fqinjit”, përkundër një prirjeje për shpërfilljen e saj. Duket qartë se autori zgjedh të shërbehet jo vetëm me autorë e burime parësore, por edhe me një rreth të dytë autorësh e burimesh jo aq të rëndësishme. Sfida me burimet bën që leximi linear horizontal i librit të shoqërohet edhe me lexim vertikal, me verifikimin e mendimit të autorit nëpërmjet poshtëshënimeve.
Ky botim, -tha më tej Sinani, – provon dhe një herë se rrugëtimi i shqiptarëve drejt pavarësimit ka kaluar përmes kuvendeve, kongreseve, lidhjeve, që kanë qenë forma parashtetërore të pavarësisë. Ky proces ka pasur luhatjet e veta ndërmjet autonomizmit dhe indipendentizmit. Kanë ndodhur edhe kthime të përkohshme prapa, duke përfshirë çfarë ndodhi prej Kongresit të Manastirit të Kongresin e dytë të pakryer plotësisht të Manastirit dhe në Kongresin e Dibrës.
Në fund ai theksoi se nuk është pa rëndësi të theksohet edhe përfshirja e përkohshme e lëvizjes kombëtare shqiptar në kuadër të zhvillimeve që ndodhnin në kryeqendër, për shembull, si u inkurajuan shqiptarët nga organizata dhe lëvizja “Itiha ve Teraki” (“Bashkim e përparim”), që e kryesonte dr. Ibrahim Temo, shqiptar, personalitet që ndikoi edhe në veprimin xhonturk, edhe në atë shqiptar, çka shpjegon pse ai në fund të jetës ia dhuroi vendit të origjinës arkivat e tij.