Në Arzignano të Italisë promovohet libri me poezi “Sytë flasin në heshtje”, i autores Afërdita Bashota – Podvorica
Të dielën, më 14 prill 2024, në një ambient të bukur në Oratorio Mattarello të Arzignanos u bë promovimi i librit “Sytë flasin në heshtje”, i autores Afërdita Bashota –Podvorica. Në promovim morën pjesë bashkatdhetarë tanë nga Arzignano, Milano, Vicenza, Treviso, Padova, Novara, Ferraro, Bassano del Grappa, Montebelluna etj., si dhe të ftuar nga Kosova.
Promovimin e librit e moderoi Ragip Thaqi, i cili kontribuon vazhdimisht në aktivitete të shumta letrare dhe kulturore.
Këtë ceremoni solemne të promovimit të librit me një fjalë rasti e përshëndeti Diamant Kastrati, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, i cili e vlerësoi lart punën e mësimdhënësve, e sidomos të grave shqiptare në diasporë.
Z. Kastrati, ndër të tjera, theksoi: “Promovimet e librave janë jashtëzakonisht me interes, mirëpo kur flasim për promovimin e librit të cilin e ka shkruar një grua, e cila jeton dhe vepron në mërgim, atëherë rëndësia është edhe më e madhe. Prandaj, është për t’u vlerësuar një punë e tillë dhe unë besoj që kjo në njëfarë forme apo në një kontekst më të gjerë është shumë e rëndësishme për mërgatën tonë, por edhe për institucionet e Kosovës. Në këtë mënyrë ne dëshmojmë se gruaja shqiptare në mërgatë është e aftë të kontribuojë në fushën e kulturës dhe arsimit”, përfundoi Diamant Kastrati.
Në vazhdim, Kujtim Sadiku, kryetar i Shoqatës “Ardhmëria” në Arzignano, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se kjo shoqatë me veprimtarinë e saj, prioritet kryesor e ka mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ai, ndërtë tjera, tha se “bashkëpunimi ynë me prindërit, me mësuesit dhe me nxënësit që e vijojnë mësimin plotësues është i një rëndësie të veçantë. Prandaj, do të punojmë çdo ditë që numri i nxënësve të jetë sa më i madh”, tha ai në fjalën e tij.
“Në këtë rast, kur po promovojmë librin e mësueses, Afërdita Bashota-Podvoricës, më lejoni të përshëndes e të falënderoj stafin e kësaj shkolle: Skënder Podvoricën, koordinator dhe dy mësueset: Valbona Kastrati – Çitakun dhe Afërdita Bashota-Podvoricën. Kontributi i tyre i pakursyer është motiv për nxënësit që ta mësojnë gjuhën shqipe dhe që t’i ruajnë vlerat tona kombëtare”, përfundoi Kujtim Sadiku.
Me kumtesat e tyre lidhur me përmbajtjen e librit u paraqitën studiuesi, Sali Bashota, poetja Trandafile Molla-Baja, Faik Tafolli, Miradie Zymberi-Avdullahi, ndërkaq në emër të Botimeve REA, Rozafa Bashota.
Duke folur për veprën “Sytë flasin në heshtje”, Sali Bashota, ndër të tjera, tha: “Promovimi i çdo libri është një ngjarje letrare dhe kulturore, në radhë të parë, për autorin, ndërsa paraqitja e mendimeve për të dhe diskutimi i përmbajtjes së tij, pa dyshim, i jep një dimension solemn përurimit të tij”.
Sali Bashota, më tutje thesksoi se “Afërdita ka filluar herët të merret me poezi. Paraqitja e përjetimeve personale në poezinë e Afërditës e ka ndjekur një rrugë krijuese. Autorja ka pritur ta botojë librin e saj të parë, vetëm kur janë pjekur frymëzimet e saj. Një kohë të gjatë e ka mbajtur të fshehur në vetvete tërë atë vrull krijues, derisa ka vendosur që ta botojë librin. Kjo fshehtësi e ka domethënien e vet.
Relacioni i temave të atdheut me temat e mërgimit është shumë i theksuar në këtë libër. Afërdita ka arritur ta shpalosë realitetin e përjetuar në dy kohë dhe në dy hapësira. Koha dhe hapësira në poezinë e Afërditës i ka shenjat e veta krijuese që marrin kuptim figurativ.
Janë mjaft interesante poezitë për kujtimet e fëmijërisë, poezitë për përjetimet e luftës (Disa vargje: “Mbaj mend/ Ishte dita e fundit e marsit 1999/ Lufta kishte filluar/ Edhe në sytë e mi”), poezitë për detin, poezitë për dashurinë, poezitë për mërgimin (“Çdo ditë jam mësuar/ Me lutjen e Zotit/ Kurrë nuk jam mësuar/Me mërgimin/ apo te poezia “Vetëm unë e kam emrin tim“: “Në Arzignano/ Uji ka një emër tjetër/ Acqua i thonë/ Edhe buka/ Ka një emër tjetër Pane i thonë/ Në Arzignano/ Zjarri ka nje emër tjetër/ Fuoco i thonë/ Edhe qielli/ Ka një emër tjetër/ Cielo i thonë/ Në Arzignano / Dielli ka një emër tjetër/ Sole i thonë/ Edhe toka/ Ka një emër tjetër/ Terra i thonë/ Vetëm unë e kam emrin tim”.
“Kjo është njëra ndër poezitë më të bukura dhe më domethënëse në këtë libër”, tha në fund të kumtesës së tij, Sali Bashota.
Në vazhdim të promovimit fjalën e mori poetja Trandafile Molla-Baja, e cila për librin e Afërdita Bashota-Podvoricës, tha: “Duke e lexuar librin e poetes hyra në botën e saj të ndjeshme, në të cilën embrioni i veprës është mendimi realist dhe ideja, malli dhe dashuria sigurisht, përzier me fantazinë që muza e saj shpirtërore ia ka përcjellë, duke vënë në lëvizje gjithë qenien dhe botën e saj. Poezitë kanë individualitet të dallueshëm shpirtëror. Duke qenë se poetja jonë është emigrante, por asnjëherë nuk e harroi vendlindjen dhe atdheun e saj të dashur, ajo e ruan atë jo vetëm brenda shpirtit të saj, por dhe në bulëzën e lotit. Shpesh poetja jonë në heshtje nxjerr ofshamë, ofshamë dhimbjeje. Më emocionon kjo poete me vargjet e saj plot ndjenjë e dhimbje.
Afërdita ka hyrë në autostradën e pafundme poetike, ku muza e saj nuk ka të ndalur. Karakteristikë e poezive tësaj janë migjeniane, janë lirike, por kanë të veçantën e vet më të avancuar, moderne, nënkuptuese. Ato dallohen nga kuarteti, mall-nostalgji, dashuri dhe atdhedashuri”.
Më tutje, Trandafile Molla-Baja, tha: “Afërdita shkruan bukur. Shpirti i saj ngacmohet nga natyra, qielli e deti, kodra e mali, flutura e zogjtë. Vargjet e poetes pasqyrojnë realitetin. Ato janë kuptimplote dhe kanë figuracion të pasur dhe të impresionojnë. Shpesh herë ajo vargëzon, më shumë jep mesazhe romantike. Pothuajse të gjitha poezitë janë me mesazh të qartë, kanë brenda sinqeritetin e një gruaje krijuese dhe intelektuale. Ndaj krijimtaria e saj është impresionuese dhe emocionuese. Afërdita ka pjekuri poetike. Ajo premton shumë në udhëtimin e saj poetik”, përfundoi ajo.
Në vazhdim të promovimit, drejtuesja e Botimeve REA, Rozafa Bashota, duke e falënderuar Afërdita Bashota-Podvoricën për bashkëpunimin, tha:” Është një emocion i veçantë që këtë libër po e promovojmë në Itali. Libri ‘Sytëflasin në heshtje” përçon mesazhe lumturie, gëzimi, malli, pikëllimi, pra emocione reale dhe me të cilat ballafaqohemi të gjithë ne në çdo ditë të jetës tonë. Stili dhe krijimi i këtyre poezive është realizuar me shumë vullnet dhe dashuri, njësoj si bashkëpunimi botues-autore”. Më tutje, ajo i përmendi edhe projektet e Botimeve REA dhe planet botuese për këtë vit dhe për vitet e ardhshme.
“Botimet REA, përveçse në Kosovë, është e hapur për bashkëpunim me të gjithë krijuesit edhe në diasporë”, përfundoi Rozafa Bashota.
Lidhur me vlerën dhe rëndësinë e librit, diskutuan edhe Faik Tafolli dhe Miradie Zymberi-Avdullahi, të cilën e vlerësuan përkushtimin dhe punën e Afërdita Bashota-Podvoricës, si në fushën e edukimit, po ashtu edhe fushën e krijimtarisë letrare.
Në këtë aktivitet mori pjesë poeti Franco Berton, ish-kryetar i Komunës One di Fonte në Treviso, i cili diskutoi për rëndësinë e poezisë në përgjithësi, duke dalluar përkushtimin e shqiptarëve në të gjitha fushat. Gjithashtu, të pranishëm në këtë promovim ishin edhe intelektualë italianë dhe përfaqësues të arsimit, si Elisa Maria-Sentin, Maurizio Grigolo, Graziella Grendene etj.
Gjithashtu, me fjalët e tyre përshëndetëse u paraqitën edhe: Bajram Desku, Gëzim Muçolli, Bari Dërvishllari dhe Myftar Gjonbalaj.
Në fjalën e saj falënderuese, autorja Afërdita Bashota-Podvorica, ndër të tjera, tha: “Në këto poezi unë jam përpjekur ta shpalos botën time krijuese me tema të ndryshme.
Janë këto tema dhe motive që më kanë preokupuar me vite të tëra, prandaj vendosa t’i bashkoj brenda një libri, të cilën e titullova ”Sytë flasin në heshtje “. Kam menduar me ditë dhe net për një kohë të gjatë, derisa kam vendosur t’i thur këto vargje duke i titulluar poezitë dhe duke i ndarë ato nëpër cikle.
Frymëzimet e mia gjithnjë më kanë motivuar që të merrem me tema të cilat së pari i ndjej në shpirt dhe i përjetoj, siç janë: tema e vendlindjes, fëmijëria, tema e luftës së popullit tim për liri, tema dashurisë, tema e mërgimit e tëtjera.
Poezinë e parë e kam shkruar në klasën e katër të shkollës fillore në Kijevë, të cilën e pata recituar në televizionin e atëhershëm të Prishtinës.
Kam vazhduar të shkruaj edhe në kohën kur isha gjimnaziste në Kijevë, si dhe gjatë kohës së studimeve në Prishtinë.
Një numër të madh të poezive të mia që i kam shkruar në fletore janë djegur bashkë me bibliotekën e vëllait tim, Saliut në vendlindje, në Caravik të Klinës”.
Në fund të fjalës së saj, autorja falënderoi familjen e saj për mbështetjen e pakursyer në rrugën e saj krijuese, si dhe Botimet REA për botimin e librit të saj.
Në këtë promovim poezitë e zgjedhura nga libri “Sytë flasin në heshtje” i recituan: Valbona Kastrati-Çitaku, Silvana Lazri, Antigona Gashi, Adriatik Podvorica, Rea Bashota, si dhe nxënësit e shkollës “Ardhmëria” në Arzignano: Riana Humolli, Jara Abdullahu dhe Alea Miftari.
Në përfundim të promovimit, Bashkimi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Novara të Italisë e nderoi Afërdita Bashota-Podvoricën me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e çmuar në fushën e krijimtarisë letrare, ruajtjen e kulturës dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Promovimi i librit “Sytë flasin në heshtje” i autores Afërdita Bashota – Podvorica, dëshmoi se në diasporë mund të organizohen aktivitete të përgatitura me shije dhe kulturë.