Në Astrazup të Malishevës filloi hapja e rrugës “Abdyl Frashëri”
Në fshatin Astrazup të Malishevës ka filluar hapja, zgjerimi dhe rregullimi i rrugës “Abdyl Frashëri” dhe lidhja e saj me rrugën “Avdullah Morina”, duke e ofruar edhe më afër këtë fshat me fshatin Burim.
Po ashtu në kuadër të ndërtimit të rrugëve në këtë fshat, do të ndërtohen në tërësi 1.6 kilometra rrugë, duke e përfunduar kështu të gjithë infrastrukturën rrugore në të gjitha rrugët dhe rrugicat e Astrazupit.
Në fillimin e punimeve në hapjen e rrugës “Abdyl Frashëri”, morën pjesë drejtori Komunal i Urbanizmit, Ahmet Morina, drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, Bashkim Krasniqi dhe shefi i prokurimit Nuhi Shala, të cilët janë takuar edhe me banorët e kësaj pjese.
Drejtori Morina ka bërë me dije se me rregullimin e 1.6 kilometrave rrugë, përmbyllet procesi i ndërtimit të të gjitha rrugëve, në të gjitha segmentet rrugore në Astrazup.
Ai ka thënë se njëjtë do të vazhdohet edhe në fshatrat tjerë, në mënyrë që gradualisht të përmbyllet i tërë procesi i ndërtimit të rrugëve në të gjitha vendbanimet.
Ndërtimi i rrugëve në Astrazup mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës.
(Q.R / Epoka e re)