Në Athinë diskutohet për sigurinë e energjisë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me ftesë të ministrit grek për Energji dhe Mjedis, Kostas Skrekas ka marrë pjesë në dialogun e parë Ministror të Energjisë në Athinë me temën “Garantimi i sigurisë energjetike në një botë në zhvillim”.
Në takimin ministror, krahas ministres Rizvanolli dhe ministrit Srekas kanë marrë pjesë; ministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ministri i Bullgarisë, Rosen Hristov, ministri i Italisë, Gilberto Pichetto Fratin si dhe ministri i Rumanisë, Virgil-Daniel Popescu.
Gjatë takimit, ministrat kanë diskutuar rreth shtrirjes e zgjerimit të lidhjeve të transmisionit, rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtërishme të energjisë në miksin e energjisë të vendeve të Evropës jug-lindore si dhe rritjes së efiçiencës së energjisë si një ndër hapat kyç në përballje me krizën energjetike evropiane.
Ministrja Rizvanolli gjatë diskutimit me ministra ka cekur që siguria e energjisë mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë, në të cilin varen pavarësia dhe siguria energjetike e Evropës.
Është kritike që ky bashkëpunim të ndërtohet jo vetëm duke u bazuar në zhvillim ekonomik por në vlerat tona të përbashkëta evropiane, të paqes e demokracisë.