Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja me sulmet në Banjskë
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën mbrëma për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, masa duhet vënë këtij vendi edhe nëse dëshmohet roli i Serbisë në dërgimin e armatimit në territor të Kosovës, i gjetur së fundi nga Policia e Kosovës në veri.
Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë janë vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.
“Ajo që ka ndodhur të dielën në veri të Kosovës, sasia e armëve që është gjetur, dhe informacionet që po i marrim nga terreni vazhdimisht, janë duke e ndryshuar lojën”, kanë thënë burimet brenda BE-së për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas tyre, në takim kanë folur përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe më pas i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Gjatë diskutimit është thënë të jetë shprehur mbështetje e plotë ndaj Lajçakut për vazhdim të dialogut mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Edhe para sulmeve të 24 shtatorit, disa vende i kanë kërkuar kryediplomatit evropian, Josep Borell, të mos e mbajë vetëm Kosovën përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në veri, në maj të këtij viti.
Atëbotë, tensionet kanë qenë të larta dhe situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë, pasi serbët lokalë të komunave veriore – të banuara me shumicë serbe – nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara prej komunitetit serb.
Bashkimi Evropian pati prezantuar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për atë situatë, ndonëse më vonë dy palët kanë arritur marrëveshje për shtensionim.
Një prej pikave ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri, por datë për to nuk ka ende.