Në Beograd bllokohen dy stacione hekurudhore, protestohet kundër minierës së litiumit
Mijëra persona kanë protestuar të shtunën në Beograd, për t’i kundërshtuar planet për mihje të një miniere të litiumit në Serbi, dhe më pas kanë bllokuar dy stacione hekurudhore.
Ata fillimisht kanë marshuar prej qendrës së Beogradit drejt urës Gazella, dhe më pas janë ndarë në dy grupe, për t’i bllokuar stacionet: Prokop dhe Novi Beograd.
Protestuesit janë parë nëpër binarë të hekurudhave dhe kështu është pamundësuar kalimi i trenave.
Në këto dy stacione nuk janë parë forca policore dhe protestuesit kanë realizuar planet e tyre pa ndonjë incident, raportojnë gazetarë të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Nuk ka kthim mbrapa, ne po e mbrojmë Serbinë”, ka thënë Zllatko Kokanoviq prej Asociacionit “Nuk e japim Jadarin”, në nisje të protestës.
“Nuk do të ketë minierë” – është mesazhi që po çojnë përpara protestuesit.
Kompania australiane, Rio Tinto, që pritet ta jetësojë projektin për minierë të litiumit, ka thënë se në protestë janë bërë deklarata dashakeqe ndaj projektit.
Mijëra persona mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë.
“Duket se jemi kemi rënë viktimë e një kolonie të ardhshme minerare. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Prandaj jemi këtu për të ngritur zërin, për t’u mos pajtuar, dhe për të mbrojtur mbijetesën e shtetit tonë”, ka thënë aktorja dhe aktivistja për mbrojtje të ambientit, Svetllana Bojkoviq, para protestuesve.
Profesoresha Dragana Gjorgjeviq, e Fakultetit të Kimisë, ka thënë se dëmi prej minierës është i pariparueshëm.
“Plehrat e mbetura të së kaluarës kanë qenë helmuese për shekuj, nëse jo mijëvjeçarë. Ne veçse kemi vende të tilla në Serbi. Mirëpo ajo minierë nuk ka qenë aq intensive, sa kjo që po planifikohet sot”, ka thënë ajo.
Protestuesit kanë mbajtur në duar mbishkrimet, “Ndal Rio Tinto, nuk do të gërmosh”, “Jo mihjes, eksploatimit, emigrimit”, “Rio Tinto, largohu prej Serbisë”.
Kjo është njëra prej 50 protestave që kanë mbajtur serbët, duke nisur prej fundit të qershorit.
(shkrimin e plotë e gjeni në Radio Kosova e Lirë)