Në Beograd kujtohen viktimat shqiptare të Kosovës
Emrat e qindra shqiptarëve të vrarë në Kosovë, fillimisht janë mbuluar me dhe, e më pas ai iu është hequr, në një aksion simbolik në Beograd.
Organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR – Fondi për të Drejtën Humanitare, FHP dhe Gratë në të Zeza, aksioni i quajtur “Bajtanica 744: E vërteta e varrosur”, kishte për synim të kujtonte viktimat shqiptare që u vranë para 20 vjetësh, e trupat e të cilëve u dërguan në varreza masive në fshatin Batajnicë, afër Beogradit, raporton “KTV-”ja.
Stasa Zajoviq, kryetare e Grave në të Zeza ka thënë se gjatë bombardimeve të NATO-s e gjithë popullata në Kosovë ka qenë pre e dhunës, porse shqiptarët i janë nënshtruar procesit të spastrimit etnik nga ana e regjimit të Millosheviqit.
“Një nga vendet ku janë gjetur më së shumti trupa është Bajtanica. Ne sot, me aksionin ‘Batajnica: E vërteta e varrosur’ duam t’u drejtohemi qytetarëve dhe institucioneve të Serbisë që të mos vazhdojnë me heshtje dhe me fshehjen e së vërtetës për varrezat masive në Serbi. Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë informacione për varrezat masive që ato t’i bëjnë publike. Gjithashtu, presim që gjykata të procedojë kundër të gjithë atyre që janë përgjegjës për krimet në luftën në Kosovë, sepse është shqetësuese që në 4 vjetët e fundit nuk është ngritur asnjë aktakuzë kundër krimeve në Kosovë”, ka thënë Zajoviq.
“Sot duam të tregojmë se një nga krimet më të mëdha janë pikërisht varrezat masive, jo vetëm në Batajnicë në vitin 2001, por edhe në Peruqicë, në Llapllasellë e në Rudnicë. Për këto sot nuk flitet, por kemi 20 vjet heshtje për këtë, dhe në narracionin zyrtar dhe atë shoqëror, kemi vetëm pranim dhe mistifikim të viktimave serbe”, Marko Milosavljeviq nga YIHR.
Aksioni është zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, dhe pas sheshit kryesor aktivistët kanë vazhduar rrugën për të Kuvendi i Serbisë, prej nga janë parë me habi nga shumë qytetarë.
Në mesin e disa kërkesave, organizatorët duan që të ketë një pllakë përkujtimore për viktimat në Batajnicë dhe që shteti serb të mos i shpërblejë kriminelët e luftës, duke u bërë vend në institucione.
Që nga viti 2001 janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve në varrezat masive në Serbi, e prej tyre 744 në Batajnicë.