Në Berlin, Serbisë i kërkohet t’i hapë arkivat për të pagjeturit
Marko Gjuriq, ministër i Jashtëm i Serbisë, gjatë takimit të 1 tetorit në kuadër të Procesit të Berlinit pikërisht në Berlin, është përballur me kritika të ashpra nga një ministër i Jashtëm i një shteti të BE-së, i cili decidivisht i ka thënë se zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve gjatë luftërave në Jugosllavi e ka në dorë Serbia, e cila duhet t’i hapë arkivat. Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thotë se Serbisë ia kanë adresuar.
Nëse për afërsinë me Rusinë dhe politikën agresive ndaj shteteve fqinje, Serbia ka gjetur mirëkuptim nga fuqitë perëndimore, të paktën për të zhdukurit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, figurativisht shteti serb e ka marrë një shuplakë të fortë, gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Dikush prej ministrave të BE-së i është drejtuar Serbisë dhe në një formë të ashpër iu ka thënë se kjo punë është e lehtë me u zgjidh, vetëm ju duhet me i hapë arkivat që po i kërkon jo vetëm Kosova, sepse nuk është folur vetëm për Kosovën, por që po i kërkon edhe Rajoni… këtë ja ka thënë dikush prej ministrave të BE-së në takim, z. Gjuriq, ministrit të jashtëm të Serbisë,” deklaroi Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Këto janë informacionet të cilat i ka marrë kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, i cili kishte dalë nga takimi para se të ndodhë kjo bisedë.
Në një nga seancat e takimit të para dy ditëve, nëse jo në kuadër të Procesit, të paktën në Berlin për herë të pare u fol për të pagjeturit. Para ministrave të jashtëm të Ballkanit dhe shteteve evropiane, fjalim ka mbajtur Haki Kasumi, kryetari i Komitetit Rajonal të Rrjetit Rajonal të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur nga ish-Jugosllavia.
“E para ka qenë që të tërhiqet vëmendja e këtyre ministrave, që ejani sepse në Ballkan është një problem kogja i madh, është një problem i ndjeshëm emocional sepse i kemi edhe shumë persona të zhdukur, nuk kemi mundur të flasim për vete, sepse një individ ka folur për të gjithë neve, por kemi folur kemi folur për 11 mijë persona të zhdukur që janë në Ballkan dhe ju lutem në një formë kemi kërkuar në një formë direkt involvimin e BE-së në zbardhjen e fatit të këtyre personave,” shtoi Hoti.
Në mesin e 11 mijë të zhdukurve në rajon, rreth 1600 janë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Edhe më 30 Shtator, në takimin e thirrur nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Kosova e ka riadresuar kërkesën në adresën e Serbisë për qasje në arkiva dhe në lokacionet në Serbi.