Në botën e një spektrumi tematik e diskursiv
Rrezarta Morina
Në qerthullin e gjatë të fatit dhe ngritjes së identitetit dhe qenësisë shqiptare, dromcat historike jo rrallë janë shndërruar në strumbullarin prej të cilit është ngjizur letërsia shqipe. Në gjirin e kësaj letërsie, duke u frymëzuar nga trajektorja e së kaluarës e duke peshkuar në realitetin e së tashmes, por me një zë plot sinqeritet e rebelizëm njëkohësisht, pena e shkrimtarit Imer Topanica ka zënë vend në panteonin e letrave shqipe. I afirmuar si poet e prozator, vepra e këtij autori është depërtim i thellë, paraqitje e persiatje për dy botëra (tokësore e hyjnore), si mllef, kritikë, fshikullim për të parën e si gjakim, madhnim e mall për të dytën.
Paraqitur me dy romane “Udhëtarët” e “Lavdi marrëzive” dhe një përmbledhje tregimesh “Këpucët e vdekjes”, e veçantë e sinjifikante mbetet proza e këtij autori, në të cilën mishërohet një spektër ku variojnë një mori temash e emocionesh diverse që nga tragjizmi e gjer në humorin e shpotinë plot fshikullimë. Këto tekste prozaike artikulohen si një portretizim real i shoqërisë shqiptare, odisejadës historike dhe procesit të tranzicionit moral, tradicional, emocional e psikik të kësaj shoqërie. Në to, historia e realiteti zhvishen prej fasadës hipokrite të një jete ideale, çirren maskat e utopisë së ëndërruar dhe ecën lakuriq shqiptari i së kaluarës e ai i të sotmes, duke derivuar evoluimin e shoqërisë sonë prej vlerave në pseudovlera, prej jetës në kataklizmë morale, humane e shpirtërore.
“Fiksioni është një organizëm i gjallë që s’jeton dot po s’u ushqye nga faktet”, thotë studiuesi e shkrimtari Ag Apolloni, ndaj edhe këtu, historia mbetet një fushë kruciale në të cilën zë fill kultivimi i temave të trajtuara në një mori tregimesh e madje edhe roman të shkrimtarit Topanica. Lufta e fundit në Kosovë, Bosnjë, evokimi i pushtimit të Konstandinopojës e Galipoli bëhen momentet historike mbi të cilat krijohen tablo letrare, plot patos, nëpër të cilat gjen rrugën shpërfaqja e temave si liria, lufta, dhuna, përdhunimi, miqësia, altruizmi, dashuria. Nëpër këto episode prozaike parakalon historia tragjike e popujve, krajatat shpirtërore, përsiatjet emocionale e fizike për t’u përkthyer në vlera. Luftëtarë si Uka që promovojnë lirinë e pavarësinë, gra altruiste që sakrifikojnë për fëmijët e tyre në kohë lufte, miq që provojnë miqësinë me vdekje përkrah njëri-tjetrit në luftë bëhen personifikues të vlerave që shembëllen e kaluara në prozën e Topanicës. Por, mbi vlerat e të kaluarës shkelin thundrat e realitetit, ndaj tregimet që glorifikojnë, emocionojnë zëvendësohen me tregime e fragmente romani ku fshikullohet me kamxhikun e fjalëve e figurave realiteti i sotëm. Zhveshja e kulturës, artit e vlerave, varfëria, dhuna, injoranca, hipokrizia, pseudopatriotizmi, nepotizmi e servilizmi shndërrohen në vlerat me të cilat identifikohet e tashmja. Shkrimtari Topanica ravijëzon nëpër të gjitha rrafshet e realitetit të sotëm, depërton në të gjitha shtresat e popullit shqiptar duke piketuar kështu varfërimin shpirtëror, kulturor, prapambeturinë e mungesën e emancipimit dhe erudicionit. Artistë që vuajnë nga rrënimi i vlerave artistike e letrare, politikanë të portretizuar si pseudopatriotë e batakçinj të maskuar si drejtorë e bartës të posteve të larta publike vegjetojnë në tregimet e Topanicës duke katalizuar mllefin, frustrimin e shpotitjen e thellë të autorit që vjen përmes personazheve viktima.
Proza e këtij autori nuk lë prapa as folklorin shqiptar, letërsia popullore bëhet element kyç prej të cilit tregime si “Me i dashtë a me i urrye dritaret“ peshkojnë jo vetëm temën e dashurisë, magjinë, ligësinë e njerkës, por edhe personazhet, formën popullore – përrallën duke e modifikuar në tregim, njëkohësisht duke e zgjeruar spektrin tematik dhe duke e rritur rrjetin e burimeve referenciale për autorin.
Megjithatë, nuk është vetëm diversiteti tematik shenja sinjifikante e kësaj proze. Me një spektër që varion nga emocioni, melankolia, gjykimi, kritika, humori e thumbimi eksplicit, rrafshi diskursiv i këtij romani aktivizon dhe u jep jetë temave që shfaqen në secilin tregim e secilin fragment të romaneve. Është i veçantë kontrasti diskursiv nëpërmjet të cilit stimulohen një varg emocionesh, ashtu që historia e viktimës së përdhunuar në luftë që ngjall momente katarsisi shumë lehtë mund të kalojë në të qeshura ironike përballë të dehurit dhe situatës shekspiriane me ngatërrim identitetesh. Shkurt, varieteti diskursiv i bën sentencat të mallëngjehen, të vajtojnë, të ofshajnë, por në anën tjetër të mallkojnë, të inatosen, të shajnë e të përjetojnë frustrim, e me to edhe bashkë lexuesi. Lakonizmi dhe shprehja ekspresive janë ato që veçojnë stilin e këtij autori në prozë. Me fjali të qarta e precizitet në tregime, por shprehje të stolisura mirë dhe ekspresive në roman, Topanica arrin të bëjë tekstin tokësor, të prekshëm, të përjetueshëm e të ndieshëm për lexuesin. Natyrisht, këtu ndihmon metagjuha, figurat letrare si metafora, krahasimi, simboli, sidomos ironia e satira për ta krijuar humorin e hollë e fin lundrojnë brenda varkës së sentencave të autorit, si amplifikim i gjuhës dhe rrafshit letrar të kësaj vepre.
Me vjeljen e frutave të së kaluarës e të së tashmes, portretizimin e tablove e një morie karakteresh si personifikim të vlerave e pseudovlerave, Topanica ka krijuar për shoqërinë një pasqyrë si reflektim për një ndërtim më utopik të së nesërmes; ndërkaq, me manovrimin stilistik, metagjuhësor, diskursiv në koekzistencë me temat e krijuara ka afirmuar vulën e vet autentike për t’u prezantuar në botën e letrave.
Kumtesë në përurimin e veprave të shkrimtarit Imer Topanica në Festivalin “Valët e Llapit”