Në brigjet e Drinit të Bardhë

12 shkurt 2021 | 10:38

Mustafë Xhemajli

 

I morën që t’i vrasin në mëngjes

Në brigjet e Drinit të Bardhë

Te mali me lisa të thatë si jeta e tyre

E dogjën sofrën pastaj magjen me miell

E zunë dhe gjelit i prenë kokën

I morën që t’i vrasin në mëngjes

 

Në mëngjes i morën që t’i vrasin

Në brigjet e Drinit të Bardhë

Tek ara e mbjellë me farë

Ua grabitën unazat byzylykët gjerdanët e arit

Stolitë e jetës u mbetën në sytë e tyre

Në mëngjes i morën që t’i vrasin

 

Që t’i vrasin në mëngjes i morën

Foshnjën e lindur dje nusen lehonë

E tërhoqën zvarrë nëpër pragun e shtëpisë

Deri te mesi i oborrit e dërguan plakun Nikë

Ia dhanë një shpullë e ai u skuq u skuq u skuq

Duke i rënë fytyrës hija e mortjes

Tashmë plumbat nuk do t’i bëjnë asgjë asgjë

Që t’i vrasin në mëngjes i morën i morën

 

Shiu binte për t’ua kujtuar vjeshtën në pranverë

Bardhit djalit të Nikës si shembull praktik tmerri

I prenë dorën nën bërryl rrodhi gjaku curril curril

Nuses i ra të fiktë dhe s’u ndie më e gjallë

Shiu ra mbi nusen lehonë prajshëm si dëshpërim

Nika tha: O Zot! Ti je lart dhe i sheh të gjitha!

Bardhi pëshpëriti një fjalë pranë nuses dhe djalit

Gjeli nuk lëvizte kokëprerë me lafshë të kuqe

Foshnja zëshëm përshëndeti jetën me klithavaj

Pastaj lëpiu piklat e shiut mbi buzët e saj.

 

I morën që t’i vrasin në mëngjes

Në mëngjes i morën që t’i vrasin

Që t’i vrasin i morën në mëngjes

Foshnjën Lehonën Bardhin dhe plakun Nikë

Gjelin pa kokë e futën në trastë ushtarake

Aty ku e kishin shlivovicën. Kapiteni klithi: Napred!

Deri te brigjet e Drinit të Bardhë deri te mali me lisa

I vranë oh në mëngjes i vranë pa krisma pa krisma!

 

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elife Luzha   Si në eklips Nata u errësua Pa…