Në Bruksel hapet tema e Asociacionit, çështjeve pronësore dhe financiare
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandër Vuçiq, konfirmuan se i kanë përafruar qëndrimet e tyre për temën e të zhvendosurve, të zhdukurve si dhe atë për bashkëpunim ekonomik.
Ata kanë konfirmuar se gjatë takimit të së hënës në Bruksel kanë hapur dy tema të reja: Asociacionin e komunave serbe dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
Takimi i radhës në dialogun në nivelin politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është caktuar të mbahet më 28 shtator.
Në Bruksel, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq, kanë zhvilluar takim të përbashkët nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Më herët, Borrell, në një deklaratë që është shpërndarë nga zyra e tij, ka paralajmëruar se sot në dialog do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.
“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Borrelli, raporton “Rel”.
Po ashtu, Borrelli ka thënë se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, por se ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.
Borrelli është shprehur se në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrelli.
Paraprakisht, Hoti dhe Vuçiqi, kanë zhvilluar takime të ndara me Borrellin dhe Lajçakun.