Në burg u parapërgatitëm për pajtimin e gjaqeve

26 tetor 2024 | 16:11

Intervistë me Zoge Shalën, anëtare e Grupit të të Rinjve të Pejës të Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991 (3)

Mal QORRAJ

“Epoka e re”: Duam gjithashtu të na e përshkruani një ditë qëndrimi në burgun e Mitrovicës, duke na sjellë sa më shumë detaje, duke filluar nga kthina dhe qelia e burgut, sjelljet e gardianeve dhe gardianëve.
Zoge Shala-Malaj: Si fillim, më duhet t’u them se kemi qenë të mbyllura në 9 (nëntë) dryrë, që nga dera hyrëse e burgut e deri të qelia ose pavioni. Zgjimi ka ndodhur në ora 6.00 të mëngjesit me rënien e një burie, dhe në mbrëmje fikja e dritave në ora 21.00. Qëndrimi në burgun e Mitrovicës ka qenë shumë i vështirë. Thuhet se nuk ka pasur burg më të vështirë në tërë Evropën. Nuk e di se si mundet të mbijetojë njeriu aty, ku kushtet nuk kanë qenë as për kafshë e lëre më për njeriun. Në fillim më kanë dërguar në qelinë numër 5. Pas gjashtë muajve, pas transferimit të grupit tonë në burgun e Lipjanit, me zhvendosën në qelinë numër 6. Ka pasur një rregullore të shtypur e të shpërndarë në të gjitha qelitë e burgut, të cilës nuk ke mundur t’i përmbahesh dhe si rrjedhojë pasonte ndëshkimi me tortura fizike dhe izolim në qelinë numër 10, e cila ka qenë e famshme për tortura çnjerëzore që janë kryer në të.
Në qeli kemi pasur tetë shtretër, 4 shilte për të qëndrua në to gjatë ditës, një qyp për nevoja fiziologjike, një kantë me ujë dhe një legen. Në tualet kemi shkuar dy herë në ditë; në mëngjes dhe në mbrëmje, ndërsa dalja në ajër të pastër ka qenë dy herë në ditë nga 5 ose 6 minuta. Për të dalë në shëtitore, duhej rreshtuar në rresht për një, duart të lidhura pas shpine dhe të mbahet distanca rreth gjysmë metri, kuptohet, ecja të bëhej me kokën ulur.
Në qeli nuk ke pasur të drejt gjatë ditës të shtrihesh në krevat. Rrinim ulur këmbëkryq. Për çudi më pastaj, prej kësaj të keqeje doli një e mirë- në aksonin për pajtimin e gjaqeve isha e mësuar të rrija këmbëkryq ashtu siç e kërkonte oda.

No description available.

“Epoka e re”: Meqë jemi të përshkrimi, na e përshkruani ju lutem figurën e një udbashi, me emër e mbiemër, duke u bazuar në sjelljen e tij në hetime ndaj jush.
Zoge Shala-Malaj: Kam qenë anëtare e Organizatës Patriotike “IDEALI”. Më kanë arrestuar për herë të parë në shkollë, në gjimnazin 11 Maji (tani Bedri Pejani) në Pejë. Na nxorën nga ora e mësimit bashkë me dy shoqet e mia, qe të tria ishim në një klasë, dhe na çuan në zyrën e drejtorit të gjimnazit. Aty na kanë pritë inspektorët e sigurimit – udbashët Mehmet Loci, Demë Muja, Xheladin Beqiri dhe Istref Sadikaj. Këta na dërguan në zyrat e UDB-së në Pejës. Aty kanë filluar të na marrin në pyetje, pyetje nga më të ndryshmet, dhe gjatë pyetjeve që bënin nuk na kursenin as nga torturat, torturat më çnjerëzore, fizike dhe psikike. Në torturimin tim ka qenë pjesëmarrës edhe Mehmet Haskaj. Ai më ka goditur në fytyrë deri sa jam rrëzuar në dysheme, pastaj i është drejtuar Demë Mujës dhe Xheladin Beqirit: “Kjo kështu e meriton, tani ju e keni ne dorë!”. Pastaj këta të dytë vazhdonin torturimin tim. Nganjëherë ndërroheshin. Shkonin te shoqet tjera e vinte Istref Sadiku. Kur ky më qëllonte me shkop të gomës (“Pendrek”) në dorë, dora më binte përmbi tavolinë e kështu lëndohej në të dyja anët, edhe shuplaka edhe shpina, dhe më nuk funksiononte. Por, pastaj njëri ma mbante dorën e tjetri më godiste. Më dilnin prapa, pra pas shpinës, dhe pa pritur me preknin me një elektroshok, qe edhe trurin ma dridhte. Nuk mund të paramendohet se çka kanë bërë krejt këta udbashë, trupshitur e gjakprishur, e më e keqja shqipfolsa. Vetëm ata që i kanë përjetuar ato tortura, ata që kanë qenë në dorën e tyre, e dinë mirë se çfarë janë ata, më kuptojnë si duhet, si është që po fole të torturonin, e po nuk fole, prapë të torturonin, të qëllonin fytyrës, duarve, këmbëve e kudo që mundeshin në trup.
Këtu dua të bëjë një sqarim: Ne grupi ynë jemi burgos më 19 dhjetor të vitit 1984. Në aksionin për arrestimin e disa të rinjve të mitur në gjimnazin e Pejës ishte prezent edhe udbashi, i rrezikshmi për të gjitha familjet e kësaj ane, Mehmet Loci. Ai, në një emision të televizionit të Dukagjinit, saktësisht në emisionin e gazetarit Ermal Pandurit “TRADHËTI VËLLEZËRISH, SHQIPTARËT DHE UDB-ja”, ka deklaruar se kur ka rënë grupi i vajzave të Pejës në burg, ka qenë bora e madhe dhe ai ka qenë në spital.
Jo, Mehmet Loci! Në dhjetor të vitit 1984, nuk ka rënë bora e madhe! Bora e madhe ka rënë në gjysmën e janarit të vitit 1985 dhe ka zgjat deri në shkurt, ndërsa në borën e madhe unë jam arrestuar, për të dytën herë, më 1 shkurt të vitit 1985. Gjatë këtij arrestimi kanë qenë prezent Istref Sadiku, Xheladin Beqiri dhe Demë Muja, por ka pasur edhe makina të tjera të policisë. Të vetmet kanë qenë makinat e UDB-së që e kanë qarë borën, kanë hyrë në fshatin tim dhe më kanë arrestuar.
Demë Muja në makinë më ka thënë së kemi pas të të arrestojmë sërish menjëherë pas dy tri dite, por ra bora e nuk mundem të vinim.

Gënjeshtrat e UDB-së dhe drejtori i burgut, Sherafedin Ajeti

“Epoka e re”: Po sjelljet e drejtorit të burgut në Mitrovicë, Sherafedin Ajeti, si ishin?
Zoge Shala-Malaj: Drejtori i burgut, i famshmi për të zi, apo famëkeqi Sherafedin Ajet, ka qenë xhelati i të burgosurve politikë në Mitrovicë. Ky bënte e ç’bënte dhe ditën nuk e mbyllte pa e torturua së paku një të burgosur politikë. Kështu ka ndodhur edhe me mua dhe shoqet e mia, kur na dërgonin në qelinë numër 10. Aty e dinim që do ta shohim ferrin me sy nga Sherafedin Ajeti si dhe gardianet Fevzija dhe Rozika.
Pas një viti burg në burgun e Mitrovicës u infektova për të dytën herë në trup. Kësaj here kisha shumë temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta. Nuk isha në gjendje të ecë dhe as ta lëvizi dorën. Në qelinë numër 6 isha së bashku me një grua tjetër, që ishte dënuar për vjedhjen e arit të Trepçës. Ajo më respektonte dhe duke më parë se në çfarë gjendje isha, pa më pyetur fare trokiti në derë. Vijnë këto dy gardianët dhe pyesin se kush po troket. “Unë”, iu thotë ajo, dhe vazhdon tutje: “A nuk po e shihni Zogen që po digjet nga temperatura? Pse nuk po e dërgoni te mjeku”? “Tani vijmë”, thonë dhe dalin. Pas një kohe, vërtetë ato vijnë. E hapin derën dhe më drejtohen mua: “Dil, ti!”. Po në vend se te mjeku, më dërgojnë te zyra e drejtorit, Sherafedin Ajeti. Aty, para tij, Rozika më mbanë fort, ndërsa Fevzija më godiste me shkop gome. Më godet në lakun e dorës brenda pak sekondash dora me bëhet e palëvizshme. Nuk kisha fare forcë në dorë, prandaj s’mund e mbaja lartë. E lëshova poshtë. Por, duke e ditur se e kam infeksionin në këmbë, më qëllojnë të dyjat pikërisht në të dyja këmbët. Aty unë bie për tokë e pa ndjenja. Pas kalimit të kësaj gjendjeje, nuk e pash veten në qeli me shoqe, por në qelinë famëkeqe, atë me numër 10. Kësaj radhe në të kam qëndruar pesë ditë. Aty kam dëgjuar zëra të burrave duke u torturuar dhe zërin e Sherafedin Ajetit duke iu thënë “nuk keni me dalë të gjallë nga ky vend”! Pastaj vinte të qelia ku isha unë dhe me thoshte: “Ty ta boj ma zi”! Më binte flakaresh dhe dilte.

No description available.

“Epoka e re”: Më lartë i përshkruat sjelljet e gardianeve, Fevzijes dhe Rozikës. Keni edhe diçka për të shtuar.
Zoge Shala-Malaj: Sjellja e gardianeve në burgun e Mitrovicës ka qenë e tmerrshme. Fevzija, Rozika dhe Minirja, janë gardianet që janë përpjekur në çdo mënyrë ta realizojnë kënaqësinë e tyre, e që ishte torturimi ynë jo vetëm fizik.
Këto dy gardiane, pra Fevzija dhe Rozika, kanë qenë dora e djathtë e drejtorit të burgut. Kur ai ndodhte të mungonte, e zëvendësonin këto të dyja. Kur të torturonin, njëra të mbante e tjetra të godiste.
Më kujtohet një rast, të cilin do ta ndajë me lexuesit e “Epokës së re”: ishte fillimi i pranverës. Në fund të shkallëve të shëtitores kishte dalë një lule, lule e hershme që çelin në pranverë. U përkula dhe e preka me dorë dhe thashë me vete: po ti këtu çka dole? Më pau gardianja Fevzije dhe zbriti shkallëve, e shkeli aq shumë me këmbë deri sa e teri edhe vendin ku ishte lulja dhe na detyroi të hymë brenda, ashtu siç ishim rresht për një. Isha e fundit në rresht, dhe fjalët e gardianes Fevzijes, apo siç e quanim ne “dhija”, ishin: “Ti, lule nuk ke me pa me sy. Ec hynë brenda!”. Kur hymë brenda në dhomë, ia ktheva: gardiane edhe ky veprim i yti me lulen e gjorë i shkon për shtati sojit tënd, sepse aty ku shkelni ju, digjet dhe nuk mbinë më bari!
Atë ditë nuk na ka nxjerrë më në shëtitore. Dhe dihet pastaj, drejt e te zyra e drejtorit, Sherafedin Ajet. E atje dihej se çka të gjente. Dhe më gjeti. Torturimi.

“Epoka e re”: Cila është njëra nga vizitat e prindërve që iu ka mbetur më së shumti në kujtesë?
Zoge Shala-Malaj: Vizitat e prindërve si dhe të familjes në përgjithësi kanë qenë çdo dy javë. Secila ka qenë më e vështirë se sa tjetra. Nganjëherë edhe na janë ndaluar nga drejtori i burgut. Ata vinin deri te burgu, pritnin gjatë jashtë, me nga dy e tri orë, në pishë të diellit, në shi apo dhe borë, dhe ktheheshin pa më parë. Më kujtohet një rast, kur sapo më hoqën nga qelia dhe më çuan në pavion, në qelinë numër 5, ndërsa pas tri dite kisha vizitë. Më erdhën prindërit, dhe për çudi ma lejuan vizitën atë ditë, anipse nuk kisha dëshirë të dilja, sepse kisha humbur shumë në peshë, ende nuk isha shëruar, sepse siç e tregova edhe më herët, isha e sëmurë dhe torturat e gardianeve ma keqësuan më shumë shëndetin. Por dola. E pash që si nëna, ashtu edhe babai vetëm më shikonin dhe nuk flisnin fare. Për një moment babai kthehet nga gardianja e pranishme, që ishte Minirja, dhe i thotë: “Unë e dua vajzën time në vizitë!”. Tek kur fola dhe iu thash që unë jam Zogia, atëherë nëna më thotë: “Oj bijë, oj qika jeme, a je gjë e sëmurë, apo çka ke që koke dobsua? Pse nuk po t’i shof duartë?”. E, duart në fakt i kisha të lidhura prapa shpine. Ndërsa e djathta ende nuk më ishte shëruar nga rrahja me shufër gome. Me gjithë forcën që më kishte mbet, shpejt e shpejt i kam vendos në grila. Prindërit kurrë nuk i kam parë të mërzitur në vizitë. Atë ditë i pashë të heshtur. Por, siç kanë ardhur me kokën lartë, ashtu me kokën lartë kanë dalë nga vizita. Në ato pak minuta sa zgjaste vizita, maksimumi pesë minuta, familja apo kushdo që vinte në vizitë, mundohej të na jepte ndonjë informacion. Njëri diçka, tjetri diçka tjetër, dhe ia arrinim të informoheshim, si për familje si për situatën apo burgosjen e ndonjë grupi, kur nuk ishim në dijeni paraprakisht. Prindërit zakonisht flisnin të dytë përnjëherë. Gjithherë babai më thoshte: “Bijë, i ke hy kësaj pune, por ti e ke përkrahjen tonë! Qëndro, se na jemi mirë”. Anipse ishte e ditur se UDB-ja do të bënte trysni në familje, që të mos na përkrahin, ato qëndruan. Familjet tona u njohën mes vete gjatë vizitave që na i bënin në burgje dhe u forcuan edhe më tepër. Në një farë mënyre edhe ato u bashkuan. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy ndeshjet e sotme të javës së 10-të në Albi…