Në buxhetin e 2019-s parashihet rrije ekonomike 4.7 për qind

21 nëntor 2018 | 13:58

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka raportuar të mërkurën para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Ai në raportimin e tij ka shpalosur draftbuxhetin e vitit 2019, duke theksuar se rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4.7 për qind.

Hamza ka shtuar se të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë euro.

“Ky draftbuxhet që është aprovuar nga Qeveria është një produkt i nxjerr nga një proces gjithëpërfshirës. Si i tillë ky draft adreson prioritetet e institucioneve tona për përmirësim të jetës se qytetarëve. Gjatë përgatitjes së këtij draftbuxheti prioritetet për financim janë vendosur sipas prioriteteve. Rritja ekonomike pritet të jetë 4.7 për qind në terma real. Sa i përket çmimeve pritet një stabilitet i theksuar. Projeksionet mbi të hyrat janë të ndërtuara mbi parimet. Ndërkaq politikat tatimore do të jenë mbështetëse të sektorit privat, kurse ATK-ja dhe Dogana do të përmirësohen tutje, si dhe do të luftohet informaliteti. Të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë euro”, ka thënë Hamza, duke shtuar se vetëm nga likuidimi i mjeteve të AKP-së do të jenë 140 milionë euro.

Po ashtu ai ka folur edhe për planifikimin e shpenzimeve, ku sipas tij rritje të buxhetit do të ketë në të gjitha kategoritë ekonomike, gjithashtu edhe në nivelin lokal.

“Duke u bazuar në rritjen e të hyrave kemi bërë planifikim edhe për shpenzimet. Do të ketë rritje të theksuar në rritjen e kapitalit publik, rritje do të ketë për të gjitha kategoritë ekonomike, po ashtu rritje do të ketë edhe në nivelin lokal. Kemi rritje të planifikuar mbi shpenzimet rrjedhëse”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq sa i përket deficitit buxhetor, Hamza ka thënë se do të jetë 2 për qind në bruto produktin vendor, që është i lejuar. “Ky nivel i deficitit do të kombinohet me huamarrje të jashtme dhe të brendshme. Do të ketë huamarrje por assesi huamarrje që dëmton vendin dhe fut atë në borxh publik”, u shpreh ai.

Ndërkaq kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si shqetësuese që gjysma e buxhetit të Kosovës do të shkojë në skema sociale dhe rroga, derisa ka pohuar se frikësohet që Kosova po shkon drejt një borxhi më të madh publik.

“Plani i Qeverisë që e kemi diskutuar në Kuvend është 8 për qind ndërkaq sot na vjen 4.5 për qind. Jam i shqetësuar për rritjen e borxhit publik në terma real. Shqetësuese është rritja e shpenzimeve prej 12.5 për qind përkundër rritjes së të hyrave 7 për qind. Pjesa më e madhe e buxhetit është social. 100 milionë euro shkojnë në skemën e veteranëve. Në Kosovë janë 22 skema sociale. Është shqetësuese që 54 për qind e buxhetit shkon në paga dhe skema sociale”, ka deklaruar Abdixhiku.

(A. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka…