NË BUZËQESHJEN TIME
TEUTA HAXHIMUSA-ÇERKINI
NË BUZËQESHJEN TIME
Ne dy bashkë ishim pengje në Dubravë
Ia thërrisnim emrin njëri-tjetrit, kur ishim pa ndjenja,
pa fjalë
Ia kujtonim diellin njëri-tjetrit
kur shpirti na ngrinte në atë skëterrë
Ne dy gladiatorë i fshinim gjakun njëri-tjetrit, sa e sa herë
Loja vdekje luante kuturu,
si gjarpër na sillej vërdallë
Herë bëhej çizme, herë plumb, herë bombë, herë thikë e litar
Isha shtrirë mes trupash, pa e ditur ç’të ka ngjarë
Ti ike, e unë mbeta, edhe pse bashkë ndamë fatin në Dubravë
Më bëhet se ta dëgjoj zërin, si dje edhe sot!
Të kujtoj kur diellin kërkoj mes resh, si bënim dikur të dy tok
Ne dy bashkë ishim pengje në Dubravë…
Që atëherë, në BUZËQESHJEN time, mbaj dhe FORCËN tënde, vulë!
(Në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë të burgosurit-pengjet shqiptare të masakruara në burgun e Dubravës në maj 1999. Në veçanti, vargjet i dedikohen Besim M. Zymberit)
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)