NË ÇASTET MË DRAMATIKE BEDRI ISLAMI E MORI DREJTIMIN E LËVIZJES POPULLORE TË KOSOVËS

10 korrik 2023 | 20:51

Ismet Sylejmani

I dashur Baca Bedri Islami,
E dashur Nëna Dritë, të dashur pjestarë të familjes Islami!
I nderuar ish President i Shqipërisë, Bamir Topi!
I nderuar ish Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, Namik Dokle!
Të nderuar deputetë të kuvendit shqipta, e në veçanti i dashur deputeti i Vlorës Bujar Leskaj, që po e bën Muzeun Kosova dhe që po e ngritë shtatoren e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në Vlorë!
I dashur ish – Ambasadori i Kosovës në Shqipëri Ramiz Lladrovci!
I dashur ish Zevendës Shef i Shtabit të Përgjithshem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dilaver Goxhaj!
Të nderuar të pranishëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e nga Lugina e Preshevës!

Jam shumë i nderuar të marr fjalën, por derisa parafolësit folën për librin, unë do të flas për autorin e librit!

Këto ditë ishte në Shqipëri Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton!
Ardhjes triumfator dhe çlirimtar të Presidentit legjendar të Amerikës në Tiranë, i ka paraprirë lufta heroike dhe titanike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u themelua nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të cilën në kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur pasoi edhe bombardimi NATO-s mbi Serbinë pushtuese, e drejtoi me sukses, biri i shquar i kombit, kryetari historik i Lëvizjes Popullore të Kosovës, i kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fort i nderuari, Shoku e bashkëveprimtari më i ngushtë i Gjeneral Fehmi Lladrovcit, Shoku e bashkëveprimtari i Udhëheqësit të madh të Kombit Ali Ahmeti, por edhe i shumë të tjerëve, të rënë e të gjallë, Shoku e Miku ynë Bedri Islami!

Motra dhe vëllezër!

Ne shqiptarët në Kosovë, jemi rritur e jemi brumosur me dashurinë epike për Shqipërinë Nënë , por edhe për Zenelin e Lulin e Vocër, personazhet e famshme te poetit të mjerimit, Migjenit!

Dhe kemi qenë me shumë fat, që në ballë të udhëheqjës së Lëvizjes Popullore të Kosovës, të kemi pasur Ty djalin e Zenelit e të Lulit të Vocër, personazheve reale dhe të imagjinuara të Migjenit të Madh e të pa përsëritshëm!

Kush do ta besonte se në rrugën e gjatë të rënieve dhe ngritjeve të popullit shqiptar të Kosovës dhe Viseve të saja, të shkëputura padrejtësisht nga Shqipëria natyrale, në finalen totale të asaj rruge të përgjakshme por të lavdishme, do të vinte në udhëheqje të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Bedri Islami, ky shqiptar i vigan, i cili me mjeshtri të rrallë, me punë e angazhim të jashtëzakonshëm, me durim, me saktësi e heroizëm prej strategu të aureolës së mbrojtjes së çeliktë, të kalasë së pamposhtur të Shkodrës nga hordhitë osmane dhe të eksperiencës së shkëlqyer e të pashembullt të Udhëheqsit të LANÇ-së dhe fitorës shqiptare mbi fashizmin dhe nazizmin në Luftën e Dytë Botërore, do të ishte në ballë të eskadronit progresiv, çlirimtar e fitimtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila me sukses drejtonte dhe komandonte me frontet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fushëbetejat e përgjakshme në Kosovë kundër hordhive policore-ushtarake të Serbisë pushtuese!

Shumë i dashur Baca Bedri,
Ashtu sikur të kam shkruar në një nga urimet e mia për ditëlindjen Tënde, Ti je shembulli më i madh dhe më i padiskutueshëm, që dëshmon katërcipërisht se shqiptari nga Shqipëria Nënë, jo vetëm mund të bëhet Udhëheqës i Kosovës, por edhe duhet të bëhet herëpasëherë praktikë në të ardhmen, pse jo, le të dihet njëherë e përgjithmonë se Ju të Shqipërisë, duhet të jeni të parët, dhe ne të tjerët të vijmë pas jush!

Populli shqiptar i Kosovës dhe Lëvizja Popullore, e ka pasur për nderë që të ka pasur Udhëheqës, që të ka pasur Drejtues dhe do ta ruajmë si një nga thesaret më të mëdha e më të çmuara të historisë tonë të lavdishme, faktin e madh se: në çastet më dramatike të organizimit të lëvizjes politike ilegale, atëherë kur lufta çlirimtare duhej të përgaditej për të filluar, Bedri Islami e mori drejtimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe e udhëhoqi me sukses, drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës nga Serbia pushtuese!

Ty i dashur Baca Bedri dhe familjes Tuaj, ju urojmë shëndet të mirë, suksese edhe më të mëdha në fushën i krijimtarisë Tënde dhe të gjitha të mirat e botës!

Faleminderit!

Tiranë, 10 Korrik 2023!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të sqarojë të gjitha…