‘Në çfarë konteksti e paska nxjerrë?”, reagon Kuçi pasi ministrja Haxhiu e akuzoi për amnistimin e krimeve të luftës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten në Kuvendin e Kosovës ka thënë se PDK-ja ka kërkuar amnistimin e krimeve të luftës.
Haxhiu gjatë fjalimit në foltore të Kuvendit ka lëshuar një audioincizim të një deklarate që e ka bërë ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili sipas ministres, fliste për amnistimin e krimeve të luftës.
“Juridikisht krimet e luftës nuk amnistohen, nuk parashkruhen, por politikisht ka pasur përpjekje serioze për t’i amnistuar krimet e luftës, prandaj Serbia është shfajësuar në kohën kur ju keni qeverisur. Ndërsa, për herë të parë Qeveria e Kosovës i trajton seriozisht”, ka thënë ajo.
Ministres Haxhiu i ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili në një prononcim për “TV Dukagjinin”, ka thënë se nuk e ka dëgjuar deklaratën e saj.
Ai ka thënë se gjatë kohës se tij si ministër me Ligjin për Amnisti janë përjashtuar krimet e luftës.
“Nuk e paskam dëgjuar se në çfarë konteksti e paska nxjerrë një deklaratë të tillë, as në kuptim të intervistës së plotë, as të kohës, por në mandatin tim është propozuar dhe miratuar ligji për amnisti që ka përjashtuar amnistimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare. Bile edhe krimet e vrasjeve dhe korrupsionit janë përjashtuar nga amnistimi. Dhe kjo vërtetohet lehtë në ligjet e miratuara në Kuvend të Kosovës. Nëse është tendencë që të barazohet nënshkrimi i Deklaratës, është çështje tjetër, dhe do të shihen pasojat ditëve në vijim… Mund ta shikoni edhe Ligjin e amnistisë së miratuar në Kuvend”, ka thënë Kuçi.
Haxhiu akuzon PDK-në: Në kohë tuaj amnistoheshin krimet serbe në Kosovë