Në CV-në e Donika Gërvallës eprorët e UÇK-së janë “ekstremistët e luftës”, MPJ nuk e demanton lajmin
Ministria e Punëve të Jashtme s’është përgjigjur nëse një biografi e publikuar e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, është shpërndarë zyrtarisht nëpër shtete të botës.
Në atë biografi shkruan se Gërvalla pas luftës ka organizuar sjelljen e eshtrave të babait të saj dhe se funeralin s’e kanë kontrolluar “ekstremistët e luftës” pas vitit 1999, term që aludohet për ish-eprorët e UÇK-së.
Një biografi, që aludohej se ishte ajo zyrtarja që u dërgohet palëve me të cilat takohen ministrja Gërvalla, u shpërnda nga mediat gjatë kësaj jave.
Gazeta Express të mërkurën ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta konfirmuar nëse e njëjta biografi është përdorur zyrtarisht nga kryediplomatja Gërvalla, por MPJ s’ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti. Pra, deri tash, MPJ-ja nuk e ka demantuar lajmin për biografinë.
Biografia e shkurtër e ministres Gërvalla është në gjuhën angleze dhe në një pjesë të saj thuhet se në funeralin që është organizuar nga vet ajo pas luftës për kthimin e eshtrave të Jusuf e Bardhosh Gërvallës e në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se 150 mijë njerëz për herë të parë s’është kontrolluar nga “ekstremistët e luftës”.
“Në janar 2002, ajo organizoi sjelljen e eshtrave të babait të saj të vrarë dhe xhaxhait të saj në fshatin e tyre të lindjes, Dubovik. Më shumë se 150 mijë njerëz kanë qenë pjesëmarrës në funeral i cili ishte eventi i parë i madh që nuk ishte kontrolluar nga ekstremistët e luftës pas 1999-ës”, thuhet në biografinë e shkurtër të Gërvallës në gjuhën angleze.