Në Deçan mbahet tribunë me temën “Burgologjia në atdheun e robëruar, gruaja sakrificë e kohës”
Në Deçan nga një grup i grave ish të burgosura politike gjatë vitit 1981, e tutje u mbajt një tribunë me temën: “Burgologjia në atdheun e robëruar, gruaja sakrificë e kohës”.
Ky tubim i rëndësishëm u mbajt në Qendrën Rinore “Fetnete Ramosaj” në Deçan nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili në të gjitha kohërat ka qenë përkrahës i kësaj shtrese shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Njëra prej grave të burgosura të Komunës së Deçanit që vlen për t’u përmendur për sakrificat e saj gjatë periudhës së vitit 1981 është Drita Kuçi nga Juniku e cila ishte burgosur si pjesëtare e organizatës së quajtur; Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare nën Jugosllavi (LNÇKVSHJ).
Angazhimi i femrës shqiptare në luftëra, beteja, organizata ilegale dhe mbështetjen e burrave në të gjitha lëvizjet çlirimtare është e hershme, por që ka vazhduar deri në ditët e sotme.
Gratë e tubuara nga të gjitha rajonet e Kosovës në Deçan, në Qendrën Rinore “Fetnete Ramosaj”, përmes kumtesave të tyre dhe evokimit të kujtimeve për kohët e vështira që sollën lirinë, i dhanë një kuptim të plotë temës së kësaj tribune; “Burgologjia në atdheun e robëruar, gruaja sakrificë e kohës”.
Në këtë tribunë gratë që ishin të burgosura në vitin 1981 e më tutje, shkëputën momente të rëndësishme nga jeta ilegale dhe nga vuajtjet e dënimeve nëpër kazamatet serbe.
Disa prej të burgosurave politike të Komunës së Deçanit që ishin prezent në këtë manifestim ishin edhe Hatmone Haradinaj, Shqipe Haradinaj, Zyrafete Berisha-Lushaj, Xhejlone Gjikokaj-Haradinaj, Zejnije Lokaj-Mehmetaj dhe Nurije Cacaj.
Hatmone Haradinaj në kumtesën e saj përfshiu aktivitetin e femrave të burgosura gjatë atyre viteve. Sigurisht se kjo shtresë është njëra nga shtyllat e fuqishme të Atdheut tonë. Sakrifica e kësaj shtrese të shoqërisë sonë, padyshim që është gurthemel i lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë. Këto femra i gjejmë në organizime që nga viti 1981 e këndej, në protesta, në demonstrata, në organizime ilegale, në UÇK, në parti politike, në pajtimin e gjaqeve, në kuvende burrash e në beteja të përgjakshme kundër forcave serbe.
Jo pak prej tyre kanë rënë në fushë beteja dhe sot mbajnë titullin Heroina të Kosovës, siç është Xheve Lladrovci, Fetnete Ramosaj, Myrvete Maksutaj, Nana e UÇK-së Aze Brahimaj, Fatime Hetemit, Hyrë Emini e shumë të tjera.
Në shenjë nderimi e respekti për sakrificat e mëdha që bënë këto ish të burgosura politike kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj u ndau mirënjohje këtyre grave. Tubimi u organizua nga Nurije Cacaj, Zyrafete Berisha-Lushaj dhe Zejnije Lokaj-Mehmetaj. Ky aktivitet do të vazhdon edhe nëpër komuna tjera të Kosovës.
(Qendresa RAMA / Epoka e re)