Në dhjetor ose janar, Kosova aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se gjatë këtij muaji, ose më së largu në janarin e vitit të ardhshëm Kosova do të aplikojë për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Sipas tij, nëse ndodh që aplikimi të bëhet gjatë këtyre muajve, atëherë Kosova do të pranohet në këtë institucion për dy vite, raporton “lajmi.net”
Hoxhaj këtë e ka arsyetuar me kryesimin e Këshillit të Evropës, që bëhet kryesisht nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Këshilli i Evropës pas BE-së është njëra nga organizatat më të rëndësishme në Evropë, dhe ne jemi të vetmit nga rajoni që nuk jemi pjesë. Janë katër vende që e kanë njohur Kosovën dhe e kryesojnë këshillin. Duhet të tregojnë se kemi institucione stabile, duke bërë progres në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Hoxhaj.