Në disa dyqane nuk largohen produktet me etiketim ‘Kosovë/o dhe Metohi’
Ditë më parë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që t’i ndalojë të gjitha produktet në treg që nuk i referohen Kosovës si shtet, me ketë rast inspektorët komunal të Komunës së Mitrovicës, kanë dalë të martën në terren për t’i parë nga afër nëse janë larguar të gjitha produktet që mbajnë këtë përmbajtje a jo.
Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Hysni Ahmeti, ka theksuar se kanë hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK’ apo “Kosovo/a Rezoluta 1244”. “Ne sot kemi dalë në terren për të parë nga afër nëse janë larguar produktet të cilat kanë këtë mbishkrimi. Kështu kemi vepruar sipas urdhëresës së lëshuar nga ministri Shala, i cili ka urdhëruar që inspektorët të kërkojnë nga operatorët ekonomik që menjëherë t’i largojnë nga tregu produktet me etiketim ‘Kosovë/o dhe Metohi’, ‘Kosovë/o UNMIK’ apo ‘Kosovo/a Rezoluta 1244’, apo çdo emërtim tjetër i cili është në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë drejtori Ahmeti.
Po ashtu drejtori i Inspekcionit ka bërë me dije se duhet të zbatohet neni 15 i Ligjit Nr.06/L-034 për mbrojtjen e Konsumatorit, i cili obligon inspektorët që të ndalojnë dhe të sanksionojnë shitjen, shërbimin dhe dhurimin e duhanit dhe pijeve alkoolike personave nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.
Drejtori Ahmeti ka njoftuar se inspektorët komunal kanë konstatuar se disa markete që punojnë në Komunën e Mitrovicës, tashmë i kanë larguar produktet e këtilla nga hapësirat e tyre.
/Epoka e re/