Në Ditën Botërore të Librit, Kolegji AAB themelon çmimin “Masar Stavileci”
“Mua më shumë më pëlqen të lexoj sesa të shkruaj”, kishte thënë profesor Masar Stavileci, tashmë i ndjerë, në nderim të të cilit Kolegji AAB, në Ditën Botërore të Librit, ka themeluar çmimin “Masar Stavileci” për studentët dhe lexuesit e rregullt të bibliotekës universitare të këtij kolegji.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në një ngjarje të organizuar nga Biblioteka Universitare dhe Kolegji AAB ka theksuar se profesor Masari ishte rektori i parë i Kolegjit AAB, ishte profesor, mik dhe koleg.
“Ne kemi pasur fatin të jemi miq me të. Dhe, përveç faktit që ai ishte edhe autor dhe përkthyes i librit, ai gjithnjë thoshte se më shumë i pëlqente të lexonte”, ka thënë Tafa.
Në ndarjen e këtij çmimi ishin të pranishëm edhe familjarët e profesorit të ndjerë Masar Stavileci. Me këtë rast, i biri, Blerand Stavileci, ka thënë se ndihet i emocionuar dhe shumë i nderuar si familje.
“Në një ditë kaq të veçantë, siç është Dita Botërore e Librit, rektori dhe Kolegji AAB kanë vendosur të mbajnë dhe nderojnë emrin e prindit tonë. Babi e kishte librin mikun më të mirë. Ai jetonte për të, çdo gjë sillej rreth librit, për librin dhe me librin, andaj jemi shumë të nderuar pikërisht për këtë”, ka deklaruar Blerand Stavileci.
/Epoka e re/