Në Ditën Botërore të Muzeve, Veseli përsërit kërkesën për ndërtimin e muzeve të dëbimit dhe gjenocidit serb

18 maj 2020 | 12:59

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë së kësaj partie,  Migjen Kelmendi,  kanë vizituar stacionin e trenave në Prishtinë për të kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve dhe për të kërkuar që sa më parë ky vend nga ku u dëbuan dhjetëra mijëra shqiptarë gjatë luftës të shndërrohet në muze.

Veseli ka propozuar që kjo hapësirë e stacionit të trenave në Prishtinë të kthehet në muze në mënyrë që, sipas tij, të mos harrohet e kaluara e qytetarëve të Kosovës.

“Kjo është fusha e dhembjes së Prishtinës, ky është monument në vete ku gjysma e Prishtinës janë deportuar e nuk e kanë ditur fatin e tyre. Ky monument duhet të zyrtarizohet. Më vjen keq që nuk ka ndodhur, po s’e ka qare pa ndodhur. Ky do të jetë muzeu i dhembjes së Kosovës, muzeu i dhembjes së Prishtinës dhe pjesa te tjegullorja atje ku do ta ndërtojmë. Nuk duhet të jemi popull hakmarrës, por ta dokumentojmë dhimbjen që e kemi kaluar”.

“Ne nuk e kemi ndërmend me harru. Shumë po politizohet çdo gjë në Kosovë, por dhimbja jonë është veç një – nuk ka parti, nuk ka politikë. Sot 18 maji është Dita Ndërkombëtar e Muzeve, nuk kemi me heq dorë nga ideja, por edhe për të pagjeturit në mënyrë të veçantë”, ka thënë Veseli.

Ndërsa Migjen Kelmendi, ka rrëfyer ditët e vështira të luftës kur ishte njëri nga mijëra qytetarë të Prishtinës që ishte deportuar dhunshëm nga Kosova nëpërmjet trenit.

“Erdhëm për ta kujtuar këtë moment, sepse nga këtu 50 mijë njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e veta të ndjekur nga policët e Millosheviqit. U detyruan të vijnë në këtë fushë këtu në stacion e cila e ka humbur autenticitetin e vet me këto ndërtime të shëmtuara, ku u krijua një Prishtinë e vogël e cila e priste trenin për me ardhur për të gjetur mënyrë për të hyrë në tren e për të shkuar kushedi se ku”.

“Ata nuk na tregonin se ku do të na vendosnin. Dikush thoshte në Ferizaj do t’i ndajnë burrat, dikush thoshte se do të na çojnë në kufi me Maqedoninë. Ai masivitet u bë që të shpërnguleshin shqiptarët nga këtu në kufi me Maqedoninë nga nje kordon policie serbe. Për shkak të kësaj lufte na e pame se çfarë çmimi ka liria. Besoj shumë që propozimi i kryetarit Kadri Veseli për ta shndërruar këtë vend në muze do të jetësohet dhe do të shërbej si memorie kolektive për atë tmerr që kemi kaluar”, ka thënë Kelmendi.

Edhe Remzi Berisha, dëshmitar i deportimeve, ka treguar se pothuajse të gjithë qytetarët e Prishtinës gjatë luftës kanë kaluar në këtë hapësirë të Stacionit të Trenave.

“Janë bartur kufoma nga këtu sepse kanë vdekur pleq. Krejt Prishtina kanë kaluar nga këtu, ka pasur rast që edhe kanë kaluar natën në këto shtëpi tek stacioni, kush ka mundur ka hyrë për dritare e për dere”, ka thënë Berisha. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministrja belge Sophie Wilmès nuk është pritur edhe aq mirë…