Në Ditën e Dëshmorëve te Atdheut, në Tropojë, bëhet përurimi i shtatores të komandantit Tahir Sinani
Më 5 Maj 2024 duke filluar në orën 12:00, në Ditën e Dëshmorëve te Atdheut në Tropojë të qytetit Bajram Curr, bëhet përurimi i shtatores të komandantit Tahir Malë Sinani.
Për merita dhe aftësi të jashtëzakonshme ushtarake dhe për kontributin e madh që dha në të gjitha luftërat dhe betejat për çlirimin e trojeve shqiptare, komandant Tahir Sinani, është graduar, dekoruar dhe shpërblyer nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake. Në një ceremoni solemne, organizuar në Kuvendin e Kosovës, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka nderuar me dekorata e medalje një varg personalitetesh të njohura të kombit shqiptar. Dëshmori Tahir Sinani dekorohet me medaljen “Adem Jashari”.
Brigada 116 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilën e kishte udhëhequr vetë me gradën gjeneralmajor, në shenjë respekti, mori emrin “TAHIR SINANI”.
Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka dekoruar me Urdhrin Adem Jashari, ndërsa Këshilli i Bashkisë i qytetit Bajram Curri i ka dhënë titullin “Qytetar nderi”.
Akademia e Mbrojtjes “Hamëz Jashari” i ka akorduar Dekoratë, ndërsa Qendra e Stërvitjes dhe e Doktrinës në Nashec i ka dhënë Mirënjohje.
Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, me seli në Manhaim i ka dhënë Mirënjohje.
Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Brigada 112 “Sherif Januzi- Enver Ramadani” i ka dhenë Lëvdatë.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me dekret të shtatorit 2001, posmortum e gradoi Gjeneralbrigade.
Më 29 korrik 2003, në dyvjetorin e rënies së dëshmorit Tahir Sinani, Organizata Kombëtare “Për Dëshmorët e Atdheut”, në Muzeun Historik Kombëtar, organizoi një veprimtari përkujtimore. Atë ditë, në emër të Shoqatës TROPOJA, kryetari i saj, Adil Neziri, familjes se tij ia dorëzoi certifikatën Tahir Sinani- Nderi i Shoqatës Tropoja dhe ka propozuar që gjeneralit, i cili bëri tri luftëra për bashkimin e trojeve shqiptare t’i jepet titulli i lartë Nderi i Kombit.