Në Ditën e Kushtetutës Republika e Kosovës po përballet me një qeveri antikushtetuese!
Shkruan: Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka qenë me e zënë se zakonisht gjatë qeverisë Kurti. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i kanë dërguar disa ligje të iniciuara nga qeveria e të miratuara në Kuvend te kjo gjykatë për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e tyre.
Sipas një raporti të Institutit Kosovar të Drejtësisë, nga 26 rastet që ndërlidhen me vendime qeveritare e parlamentare e që Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese përgjatë ekzistencës se vet, 10 raste apo 36% i takojnë qeverisë apo legjislaturës aktuale.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka kritikuar partitë opozitare që me dërgimin e projektligjeve në Gjykatën Kushtetuese po e pengojnë realizimin e programit legjislativ dhe rrjedhimisht “reformën rrënjësore”.
Qeveria shpesh ka akuzuar edhe Gjykatën Kushtetuese që me shpalljen antikushtetuse të ligjeve dhe me vonesa në interpretime po e pengon reformën në përgjithësi.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 kritikon miratimin me procedurë të përshpejtuar të disa ligjeve thelbësore.
Sipas këtij raporti, nga 104 ligje të aprovuara në Kuvendin e Kosovës midis qershorit 2022 dhe qershorit 2023, 21 prej tyre janë miratuar me procedurë të përshpejtuar, pa bërë përpjekje që të ndërtohet konsensus për pjesë kyçe të kornizës ligjore.
Sipas tyre, Ligi për Paga dhe ai për Zyrtarët Publikë janë dy nga ligjet që janë aprovuar në këtë mënyrë dhe më pas janë referuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
E, reforma në drejtësi, një ndër premtimet kyçe të qeverisë Kurti, po ecën ngadalë. Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën vettingut të pjesshëm, që parasheh që vettingut t’i nënshtrohen kryeprokurorët, kryetarët e gjykatave, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe ata të Këshillit Gjyqësor. Ndryshe nga siç premtua nga LVV-ja, nuk do të ketë vetting të plotë dhe se edhe ai i pjesshëm nuk duket i realizueshëm brenda këtij mandati. Ndërkohë, projektligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, që parasheh reformim të këtij organi gjyqësor është miratuar në lexim të parë, me 7 mars të këtij viti në Kuvend.
Shoqëria civile kishte kritikuar qeverinë se në këtë projektligj nuk i kishte përfshirë gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, opinionit të Komisionit të Venecias, e rekomandimet e shoqërisë civile, si çështja e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe çështja e përfshirjes përsëri të Avokatit të Popullit në përzgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së.