Në ditën e përkujtimit të krimit gjenocidar në Mejë, apel për mobilizim!
Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës së Mejës.
“Në ditën e sotme përkujtojmë njërin ndër masakrat më mizore që ndërmorën forcat e armatosura të Serbisë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë. Më 27 prill 1999, në afërsi të fshatit Korenicë dhe tek udhëkryqi Meje-Orize, forcat e armatosura serbe bënë ndarjen e meshkujve nga kolona e civilëve shqiptarë që dëboheshin për në Shqipëri dhe ekzekutuan 374 meshkuj nga mosha 13 deri në moshën 90-vjeçare”, thuhet në deklaratën e Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur.
Me tej në këtë deklaratë thuhet se krimi i gjenocidit në masakrën e Mejës u shoqërua me strategjinë serbe të fshehjes së gjurmëve.
“Vetëm një pjesë e kufomave kanë mundur të gjenden e të identifikohen. Një pjesë e madhe e tyre është bartur me kamionë në pjesë të brendshme të Serbisë për tu varrosur në varreza masive ose për tu djegur, në mënyrë që të fshihen gjurmët e krimit”.
“Fatkeqësisht, 22 vjet pas këtij krimi monstruoz, kriminelët që kryen gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë janë në krye të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë, ndërsa familjarët e viktimave ende presin ndriçimin e fatit të atyre që konsiderohen të zhdukur! Në këtë ditë përkujtimi Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” kërkon një mobilizim të përgjithshëm politik, diplomatik dhe mediatik që krimi i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës të njihet botërisht si krim i gjenocidit dhe përgjegjësit për këtë krim të ballafaqohen me drejtësinë”, theksohet në deklaratën e Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur.