Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Bajrami nuk shiti asnjë libër
23 prilli njihet si Dita Botërore e Librit. Por, një librashitës në Prishtinë tha se as në këtë ditë askush nuk u interesua për ta blerë një libër. Madje, për disa ditë, thotë se mezi e shet një libër. Për këtë të fundit nuk u interesuan as të zgjedhurit e popullit.
Është një ndër botimet e rralla që ka. Por, as këto libra, thotë, nuk po i shitën.
Bajram Kastrati ka 30 vjet që punon si librashitës.
Pavarësisht se kioska e tij ndodhet në sheshin kryesor të Prishtinës, në syrin e lexuesit po bie shumë pak.
Madje as në Ditën Botërore të Librit asnjë qytetar nuk u interesua për ta blerë një libër.
“Asnjë libër, as nuk ka pyetur kush sot për libër. Edhe nuk besoj që 80 % e njerëzve e dinë që sot është Dita e Librit. Sot është dita e tretë apo katër, a e kam shitur një libër 5 euro a jo”, tha librashitësi Bajram Kastrati.
E këtu Kastrati thotë se nuk po ndalen as të zgjedhurit e popullit.
“Vjen një deputet, nuk dua t’ia përmend emrin. Anglisht po flet me një zonjë. I thashë hajde zotëri deputet, një libër bleje qetu. Tha krejt i kam. E marr një libër. I thashë a e ke këtë? Tha jo. I thashë as 10 % të librave nuk i ke”, u shpreh Kastrati për teve1.
Pavarësisht se librat nuk po i shiten, Kastrati vetë është lexues i rregullt.
Ky tregon se sa libra ka arritur t’i lexojë brenda një viti.
“Kur e kam krye fakultetin në vitet ’80, ndryshe ka qenë muhabeti. Mos me thënë ma shumë, po deri në 100 libra i kam lexuar brenda një viti”, deklaroi ai.