Në dy javët e ardhshme pritet rritja e të infektuarve me COVID 19
Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi, në KTV tha se në këtë klinikë janë 38 pacientë me COVID-19 dhe se gjendja shëndetësore e tyre është në përgjithësi e mirë, me përjashtim të tre prej tyre që janë në gjendje kritike. Po ashtu, ai tha se janë edhe 5 pacientë të tjerë që po asistohen me oksigjeno-terapi krahas terapisë së tyre të rregullt.
Duke folur për viktimën e gjashtë që vdiq në Klinikën Infektive, Krasniqi tha se pacientja ka ardhur me shenja të prekjes së sistemit respirator, apo pamundësisë së frymëmarrjes dhe për këtë arsye ajo ishte vendosur në kujdesin intensiv.
“Edhe pas masave reanimuese, ajo fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte”, tha Krasniqi.
Kjo gjendje me viktimat, Krasniqi tha se është deri diku e pritshme. Sipas tij, këto janë javët kur pritet numër më i madh i të infektuarve dhe numër në rritje të viktimave.
Por, krahas lajmeve të këqija me këtë pandemi, Krasniqi tha se ka edhe lajme të mira.
“Kemi mbi 30 persona që janë shëruar plotësisht, që janë liruar për në shtëpi. Është shëruar edhe pacienti zero. Ndonëse në ditën e parë kishim dy pacientë, këtë nga Vitia dhe pacienten nga Italia, kemi pasur edhe dy pacientë tjerë zero, një nga Podujeva dhe një nga Malisheva. Pra, të katër pacientët e parë janë të shëruar. Përveç këtij të moshuari, 77-vjeçarit nga Vitia, kemi pasur një 80-vjeçare që është shëruar, dhe 3-4 pacientë tjerë mbi moshën 70-vjeçare që e kanë kaluar këtë infeksion”, tha Krasniqi.
Ai tha se janë edhe 5 infermiere të Klinikës Infektive me koronavirus, dhe të gjitha kanë qenë të përfshira direkt në trajtimin e pacientëve.
Ato kanë ndarë edhe hapësirën e edhe dollapin e rrobave bashkë.
“Më e moshuara u shërua. Katër tjerat janë në gjendje të mirë. Në Klinikë bëhen herë pas here testime të stafit, por jo të shpeshta. Fatmirësisht, deri më tani s’kemi raste tjera të personelit mjekësor”, tha ai.
Sipas tij, kushtet e punës në Klinikën Infektive janë të mira dhe shtoi se në fund të janarit kanë nisur përgatitjet për t’u përballur me këtë gjendje të pandemisë.
“Flas për pajisjet mbrojtëse personale të stafit të klinikës. Asnjë ditë s’kemi qenë pa këto mjete. Ka pasur ankesa nga disa komuna që s’janë të furnizuar mirë, por prioritet në fillim ka qenë Klinika Infektive. Tani besoj se edhe ato komuna janë të furnizuara. Personeli shëndetësor, përveç ofrimit të kujdesit ndaj pacientëve, e ka të obliguar ta mbrojë edhe veten, sepse nëse infektohet numër i madh i stafit, ne do të biem nga sistemi”, u shpreh infektologu Krasniqi.
“Sa iu përket respiratorëve, deri më tani s’kemi pasur nevojë që asnjë pacient ta dërgojmë jashtë klinikës”.
Ai tha se nga gjysma e prillit e tutje, pritet fluks më i madh i pacientëve.
“Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare sa i përket rrjedhës së pandemisë. Do të shohim brenda gjysmës së prillit se sa qytetarët i kanë respektuar masat dhe rekomandimet. Epidemia nuk do të përfundojë në gjysmën e muajit prill, me siguri, por po shpresojmë që kah fundi i prillit ët kemi ulje të intensitetit të COVID-19”, u shpreh ai.
Krasniqi bëri thirrje që të respektohen me rigorozitet masat dhe rekomandimet, pasi që s’ka asnjë ilaç efikas që e lufton këtë infeksion, e madje edhe zbulimi i vaksinës është larg.
“Prandaj, arma e vetme është parandalimi, dhe kjo nënkupton qëndrimin në shtëpi, shmangien e kontaktit me personat e tjerë”, tha ai.
Sipas Krasniqit, shumica e të prekurve me COVID-19 me gjasë nuk do të kenë nevojë për trajtim në Klinikën Infektive, dhe se virusin do ta kalojnë në shtëpi.
“Në Klinikën tonë, nga dita e parë kur u konfirmua pacienti i parë, janë trajtuar më pak se 80 raste. Duket që nuk do të ketë nevojë që jo të gjithë pacientët e prekur me virusin do të duhet të vijnë në klinikë për shërim. Shumica mbase do ta kalojnë në forma të lehta apo të moderuara nëpër shtëpitë e tyre pa pasur nevojë të vijnë në klinikë. Pacientët që vijnë në klinikë i ndajmë në tri kategori: të sëmurë të lehtë, të rëndë dhe kritikë. Për pacientët me forma të lehta të sëmundjes, që nuk kanë pneumoni, por vetëm simptoma të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, atëherë terapia është simptomatike. U japim infuzione, analgjetikë, kundër temperaturës, pastaj për t’ua qetësuar kollën dhe ua monitorojmë gjendjen e tyre shëndetësore. Për pacientët që kanë ndërlikime në mushkëri, atëherë zbatojmë protokollin që po zbatohet sidomos në Evropë, ku japim hidroksiklorokikës me azitromicin. Pra, krahas terapisë së rregullt, e japim edhe këtë terapi. Rezultatet e para janë inkurajuese për këtë terapi. Por, nëse gjendja e pacientit përkeqësohet më tutje, atëherë pacientët vendosen në oksigjeno-terapi, apo nëse përkeqësohet edhe më tej, e vendosim në kujdesin intensiv që sipas nevojës e kyçim në aparat respirator”, theksoi ai.
Lufta, tha Krasniqi, bëhet që të mos vijë puna te përdorimi i respiratorit, për shkak se, siç tha ai, “nuk ka studime që flasin për rezultate të mira të pacientëve që kanë nevojë për respirator”.
Ai tha se janë dy raste kur pacienti konsiderohet i shëruar. “Kemi shërimin klinik, kur qetësohet dhimbja, kollitja dhe kur pacienti s’ka temperaturë. Për ta konsideruar plotësisht të shëruar një pacient, ne i bëjmë edhe dy teste të detektimit eventual të virusit te pacienti, dhe nëse të dyja rezultojë negativë, atëherë e konsiderojë edhe mikrobiologjikisht të shëruar. Pas shërimit, pacientët rekomandohen të vazhdojnë kujdesin”.
Pasojat e personave të prekur dhe të shëruar nga COVID-19, ende nuk dihen, sepse, siç tha Krasniqi, është ende virus i ri.
Por, ai tha se gjasat janë që pacientët që kanë pasur sëmundje paraprake, mund të kenë komplikime në sistemin e frymëmarrjes.
Tutje, Krasniqi foli edhe për rritjen e numrit të testimeve. Ai tha se janë dy grupe të njerëzve që testohen në Kosovë. “Personat që kanë simptoma të sëmundjes, dhe personat e kontaktit të ngushtë që konfirmohet se kanë pasur kontakt me pacientin e prekur me COVID-19. Ne në Klinikë merremi vetëm me personat që kanë simptoma të sëmundjes, ndërsa ekipet e IKSHPK-së i marrin mostrat nga terreni. IKSHPK është përgjegjës për numrin e testimeve në terren. Mendoj se tani jemi në fazën që duhet të ketë më shumë testime. Dje veç janë bërë mbi 250 testime”, deklaroi infektologu Krasniqi.
Ai tha se kanë qenë disa raste që kanë ardhur në Klinikë dhe kanë rezultuar pozitivë në COVID-19, por që nuk dihet burimi i infeksionit.
Duke folur për Malishevën, ai tha se janë mbi 60 të infektuar në këtë komunë. Tha se faktorët që kanë ndikuar në këtë janë numri i madh i qytetarëve që punojnë në Evropë, e sidomos në Itali.
Krasniqi tha se s’ka përgjigje të saktë se kur do të tejkalohet kjo situatë, megjithatë ai tha se Kosova i ka disa përparësi. “Virusi ka ardhur vonë tek ne. Kemi bërë mirë që i kemi mbyllur shkollat pa u konfirmuar asnjë rast. Ardhja me vonesë e virusit tek ne na ka dhënë kohë të përgatitemi paraprakisht”, u shpreh infektologu i Klinikës Infektive, Valbon Krasniqi.