Në dy javët e fundit ka pasur 44 për qind rënie të rasteve me Covid-19
Në dy javët e fundit në Kosovë situata epidemiologjike me virusin Korona është përmirësuar dukshëm.
Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në dy javët e fundit ka pasur rënie të rasteve të reja me koronavirus për 44 për qind, shkruan lajmi.net.
Kjo mund të vërehet edhe në statistikat ditore të rasteve të reja, testimeve dhe numrit të pacientëve të shëruar. Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë nga 503 persona të testuar në IKSHPK dhe laboratoret private kanë rezultuar 66 raste pozitive me koronavirus dhe nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes.
Numri total i rasteve pozitive është 15.208 raste nga 63.110 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 615 raste të vdekjes.
Në këtë 24 orësh, në Kosovë janë shëruar edhe 141 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri sot është 12,815 raste.
Së këndejmi, numri i rasteve aktive ka rënë në 1778. Ndërkohë, sot është diskutuar se ditët në vijim mund të ketë lirim të masave anti-Covid pas ankesave të shumta nga bizneset dhe qytetarët për kufizim të orarit të lëvizjes dhe orarit të punës.
Rastet e fundit pozitive janë nga: komuna Prishtinë 22 raste, komuna Gjilan 8 raste, komuna Deçan 7 raste, komuna Ferizaj 5 raste, komuna Podujevë 5 raste, komuna Fushë Kosovë 3 raste, komuna Kamenicë 3 raste, komuna Pejë 3 raste, komuna Gjakovë 2 raste, komuna Suharekë 2 raste, dhe me nga një rast komunat Drenas, Istog, Klinë, Kllokot, Rahovec dhe Vushtrri.